Vitia: Klinika e Syve në QKUK për herë të parë pajiset me aparaturë të avancuar për angiografinë fluoresceinike automatike të retinës
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet dhe ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia (numri 12), ka njoftuar për investime të reja në Klinikën e Syve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Përmes një postimi, Vitia ka bërë të ditur se për herë të parë kjo klinikë është pajisur me aparaturë të avancuar për angiografinë fluoresceinike automatike të retinës, e cila ofron imazheri me rezolucion ultra të lartë, foto dhe video, si dhe fushë të gjerë pamjeje. Sipas tij, kjo teknologji mundëson diagnostikim më të saktë të sëmundjeve të retinës.
Ai ka theksuar se paraprakisht është përgatitur edhe infrastruktura e nevojshme për funksionalizimin e kabinetit të angiografisë së retinës.
Po ashtu, Vitia ka njoftuar se Klinika e Syve ndodhet në fazën përfundimtare të furnizimit me aparaturë moderne për operacione të kataraktës me metodën e fakoemulsifikimit, si dhe me mikroskop operativ për ndërhyrje në segmentin e përparmë dhe të pasëm të syrit.
Sipas ministrit në detyrë, këto investime do të rrisin ndjeshëm cilësinë dhe gamën e shërbimeve oftalmologjike, duke përmirësuar trajtimin e pacientëve në QKUK.
Rruga Press

