KryesoreLajme

Virusi HMPV, Vitia: Nuk është paraqitur ndonjë rast në Kosovë, s’ka nevojë për panik

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se deri më sot në Kosovë nuk është paraqitur ndonjë rast me virusin Metapneumovirusin Njerëzor (HMPV).

Ai ka theksuar se janë marrë të gjitha masat në rast nevoje për të përballuar çdo situatë rreth këtij virusi.Vitia ka thënë se nuk duhet të ketë panik te qytetarët për këtë sëmundje.

“Nuk kemi akoma rast me HMPV. IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë janë në kontakte të vazhdueshme me të gjitha mekanizmat më adekuat që ekzistojnë për këtë problem dhe jemi në kontakt me OBSH dhe çdo institucion tjetër.

Lexo më shumë  Si po kopjon Serbia Rusinë në luftën hibride – ndërhyrje në zgjedhje

Në momentin e parë që paraqitet një rast, menjëherë do të merren masat me rekomandimet e IKSHPK-së. Asnjë lloj panike nuk ka për qytetarët. IKSHPK dhe SHSKUK veç kanë filluar masat dhe përgatitjet”, tha ai.

Vitia po ashtu theksoi se nuk ka asnjë arsye për panik. “Ne do të kishim dalë me informata , nuk ka asnjë arsye për të pasur panik për këtë”.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, ka publikuar një seri udhëzimesh dhe informacionesh mbi Metapneumovirusin Njerëzor (hMPV), pas një rritje të mundshme të rasteve në disa rajone.

Lexo më shumë  Kurti: Perëndimi mund ta detyrojë Vuçiqin që ta dorëzojë Radoiçiqin

Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet shëndetësore, HMPV është një virus respirator që shpesh përhapet gjatë periudhës së dimrit, dhe ka simptoma të ngjashme me ato të një të ftohti të zakonshëm.

“Përhapja e këtij virusi ndodh kryesisht përmes pikave të kollës dhe teshtitjes, si dhe kontaktit të ngushtë me individë të infektuar,” thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

IKShPK thekson tutje se MetaPneumovirusi është një patogjen respirator që mund të shkaktojë bronkit ose pneumoni, sidomos te fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe ata që kanë imunitet të dobësuar.

YouTube player