Vilat e shumë politikanëve mund të jenë cak i operacionit ‘Brezovica’
Dhjetëra shtëpi malore të ndërtuara në zonën e Brezovicës mund të jenë cak i hetimit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
Ato dhjetëra shtëpi malore u takojnë disa politikanëve, zyrtarëve e biznesmenëve kosovarë që janë ndërtuar ndër vite.
Arsyeja që mund të bëhen cak të operacionit të Prokurorisë së Ferizajt, është se të njëjtat po dyshohen se janë ndërtuar duke dhënë e marrë ryshfet për ndërtimin e atyre shtëpive dhe objekteve malore.
Një operacion i nisur orët e hershme të mëngjesit të sotëm i Policisë së Kosovës, më saktësisht Krimeve të Rënda nën koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj ka vënë në pranga disa persona.
Ndër ta janë edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, drejtori i Urbanizmit në këtë komunë Dimitrije Raçiqeviq, disa zyrtarë e pronarë biznesesh.
Aksioni i cili po udhëhiqet nga Prokuroria e Ferizajt, ka të bëjë me veprat penale të korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë.
Ky aksion sipas vet kryeprokurorit të Ferizajt Shukri Jashari, është ndër më të mëdhenjtë në luftën kundër korrupsionit.
Prokuroria ka njoftuar se të arrestuarit po dyshohen se kanë kryer veprën penale marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti e keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
KALLXO.com po raporton vazhdimisht në lidhje me aksionin e prokurorisë në Ferizaj.
Përveç arrestimeve pati edhe konfiskime të materialeve të ndryshme ndër to edhe dy vetura që dyshohet se janë të ish- kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq. /kallxo.com
Rruga Press