Zv. Ministri Qorrolli: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, rast i pashembullt në Evropën post-komuniste
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si precedent të paparë në jurisprudencën e vendeve të Evropës post-komuniste gjatë 35 viteve të fundit.
“Nuk evidentohet asnjë rast ku një gjykatë kushtetuese ka urdhëruar organin legjislativ të procedojë në formë të paracaktuar të votimit, me numër të kufizuar tentimesh, me pjesëmarrje të detyrueshme të çdo deputeti dhe brenda afateve kohore të ngushta – duke shpallur njëkohësisht të pavlefshme një periudhë të plotë të seancave parlamentare,” ka theksuar Qorrolli.
Ai ka krahasuar situatën me juridiksionet e ngjashme si Polonia, Hungaria, Rumania, Çekia, Maqedonia e Veriut, Ukraina dhe Moldavia, duke theksuar se asnjë prej tyre nuk ka marrë ndonjëherë një vendim me “kombinimin e plotë të udhëzimeve procedurale detyruese për parlamentin” si në rastin e Kosovës.
Qorrolli ka kujtuar se edhe në rastet kur është kërkuar asistenca e Komisionit të Venecias, si në Rumaninë e vitit 2012 apo Moldavinë e vitit 2019, rekomandimet kanë synuar ruajtjen e ndarjes së pushteteve, “pa u shtrirë në rregullimin normativ të procedurave të brendshme parlamentare.”
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka futur Kosovën në një situatë të paidentifikuar më parë në praktikën evropiane:
“Një organ gjyqësor që, në kuadër të interpretimit kushtetues, ushtron funksione të natyrës normative brenda sferës ekskluzive të sovranitetit popullor të përfaqësuar nga parlamenti.”
Ai paralajmëron se tejkalimi i kufijve interpretativë të kushtetutës nga gjykata përbën rrezik serioz për demokracinë:
“Aktivizmi gjyqësor që shtrihet përtej kufizimeve të qarta të tekstit kushtetues paraqet rrezik për autonominë funksionale të organit legjislativ dhe, si pasojë, për stabilitetin institucional – kusht i domosdoshëm për funksionimin efektiv të demokracisë.”
Rruga Press

