BotaKryesore

Videot e separatistëve në Ukrainë për evakuim “emergjent” ishin incizuar më herët

Videot e separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës, duke urdhëruar evakuimin “emergjent” që u postuan më 18 shkurt, në fakt ishin incizuar më 16 shkurt, thuhet në një analizë të Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë, që ka analizuar të dhënat e marra nga aplikacioni i mesazheve Telegram.

Në një video të postuar online dhe në Telegram më 18 shkurt, Denis Pushilin, lideri de-fakto i rajonit të okupuar nga separatistët, Donetsk, pretendoi se është rritur numri i personelit ushtarak ukrainas dhe i armëve përgjatë vijës së kontaktit.

Ai urdhëroi evakuimin, duke pretenduar se presidenti ukrainas Volodymir Zelenskiy shumë shpejt do të jepte urdhrin për “pushtimin e territorit” në rajonet Donetsk dhe Luhansk, që kontrollohen nga separatistët.

Lexo më shumë  Zgjidh Kosovën! Zgjidh të vërtetën! Zgjidh Albin Kurtin !

Lideri i rajonit Luhansk, që po ashtu kontrollohet nga separatistët, bëri një thirrje të ngjashme.

Por, një hulumtim i Shërbimit rus të REL-it ka gjetur se videot ishin bërë më 16 shkurt, duke lënë të kuptohet se evakuimi ishte i planifikuar më parë.

Zyrtarët ukrainas menjëherë kishin hedhur poshtë pretendimet se kanë plane për të nisur ndonjë operacion ushtarak në lindje të Ukrainës.

“Ukraina nuk ka plane për veprime të tilla në Donbas”, kishte thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për zgjidhjen e konfliktit vetëm në mënyrë diplomatike”, shkroi ai në Twitter më 18 shkurt.

Lexo më shumë  ‘Dexit’? E djathta ekstreme, AfD do që Gjermania të dalë nga BE

Liderët separatistë në lindje të Ukrainës po ashtu pretenduan se rajonet ruse pranë ishin të gatshme të pranonin qytetarët që do të evakuoheshin.

Por, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se nuk ka asnjë informacion për këtë situatë dhe nuk e di nëse liderët separatistë ishin koordinuar me Rusinë, raportoi Interfax.

Më vonë, zyrtarët rusë thanë se po përgatiteshin kampe për ata që do të vinin nga rajonet lindore ukrainase dhe presidenti rus, Vladimir Putin, tha se do t’i japë secilit qytetarë nga 10,000 rubla apo 130 dollarë.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se separatistët që kontrollojnë Donetskun dhe Luhanskun po përgatiten që të krijojnë një pretekst që Moska ta pushtojë Ukrainën.

Rusia ka grumbulluar trupa në kufijtë veriorë, lindorë dhe juglindorë të Ukrainës, gjë që ka nxitur frikën se Kremlini po përgatitet që ta pushojë Ukrainën.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *