Bota

(Video) Publikohet videoja që adoleshenti turk realizoi nën rrënoja

Një 17-vjeçar gjimnazist ka rrëmbyer zemrat turke pasi filmoi një mesazh lamtumire për të dashurit e tij teksa mbeti i bllokuar nën rrënojat e shtëpisë së tij gjatë tërmetit të javës së kaluar.

Taha Erdem dhe familja e tij ishin në gjumë të thellë kur një tërmet me magnitudë 7.8 goditi qytetin e tyre të lindjes Adiyaman, në orët e para të 6 shkurtit.

Taha u zgjua befas nga dridhjet e forta që tronditën pallatin katërkatësh në një lagje të qytetit qendror të Anadollit. Brenda 10 sekondave, Taha, nëna, babai dhe vëllai dhe motra e tij më e vogël mbetën nën rrënojat e ndërtesës.

Ai u gjend i vetëm dhe i bllokuar nën tonelata rrënojash, me valët e pasgoditjeve të fuqishme që zhvendosnin mbeturinat, duke shtrydhur hapësirën e tij mes rrëmujës së betonit dhe çelikut. Taha nxori celularin dhe filloi të regjistronte lamtumirën e fundit, me shpresën se do të zbulohej pas vdekjes së tij.

“Mendoj se kjo është videoja e fundit që do të xhiroj ndonjëherë për ju”, tha ai nga hapësira e ngushtë, ndërsa telefoni i dridhej në dorë si pasojë e tërmeteve të tjera që po ndodhnin atë ditë.

Lexo më shumë  Zelensky urdhëron “spastrimin e gardës shtetërore”, pas komploteve të dyshuara për vrasje

Duke treguar qëndrueshmëri dhe guxim të jashtëzakonshëm për një adoleshent, duke besuar se po thoshte fjalët e tij të fundit, ai rendit plagët e tij dhe flet për keqardhjen e tij dhe gjërat që shpreson të bëjë nëse del i gjallë. Gjatë videos dëgjohen britmat e personave të tjerë të bllokuar, raportoi Associated Press.

“Ne ende po dridhemi. Vdekja, miqtë e mi, vjen në një kohë kur njeriu nuk e pret atë”, thotë Taha, para se të recitojë një lutje muslimane në arabisht.

“Ka shumë gjëra për të cilat jam penduar. Zoti më faltë të gjitha mëkatet e mia. Nëse dal nga këtu i gjallë sot, ka shumë gjëra që dua të bëj. Ne ende po dridhemi, po. Nuk më dridhet dora, është vetëm tërmeti”, thotë ai në video.

Adoleshenti vazhdon të tregojë se ai beson se familja e tij ka vdekur, së bashku me shumë të tjerë në qytet, dhe se ai së shpejti do t’i bashkohet atyre.

Lexo më shumë  Sot në Luksemburg: Ukraina dhe Moldavia fillojnë bisedimet zyrtare për anëtarësim në BE

Por Taha ishte i destinuar të ishte ndër të parët e shpëtuar nga ndërtesa e shkatërruar. Ai u nxor nga rrënojat dy orë më vonë nga fqinjët, dhe u dërgua në shtëpinë e tezes.

Dhjetë orë pas tërmetit, prindërit dhe vëllezërit e motrat e tij u shpëtuan gjithashtu nga banorët vendas që gërmuan në rrënojat e ndërtesës me duar dhe çfarëdo vegla që mundën të gjenin.

Kur Associated Press foli me familjen të enjten, ata jetonin në një tendë të siguruar nga Qeveria, së bashku me qindra mijëra të tjerë që i mbijetuan katastrofës që goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore, duke vrarë më shumë se 43,000 persona.

Historia e familjes Erdem është një nga historitë e shumta emocionale të forcës njerëzore që ka dalë nga zona e përhapur e fatkeqësive. Shumë rrëfejnë gjallërisht tmerret e të qenit të bllokuar nën shtëpitë e tyre.

Shumë njerëz po vazhdojnë të nxirren të gjallë nga rrënojat, edhe rreth 300 orë pas tërmetit të rëndë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *