VIDEO/ Protestuesit maqedonas hodhën gurë drejt monumentit të Skënderbeut, arrestohet shqiptari nga Shkupi që qëlloi në ajër me armë
Isuf Koka është shkupjani që u arrestua nga policia maqedonase pasi gjuajti dy-tre plumba në ajër, si kundërpërgjigje ndaj protestuesve maqedonas të cilët ishin futur në lagjen shqiptare, duke hedhur gurë në drejtim të monumentit të Skenderbeut dhe duke u përpjekur të sulmojnë qytetarët shqiptarë.
Dhjetëra huliganë maqedonas filluan të gjuanin me gurë në drejtim të dyqaneve te parkingu i monumentit të Skenderbeut, ku u dëmtuan edhe disa makina të parkuara. Pasi policia po reagonte me vonesë dhe turma tentoi të futet në Çarshi, pronari i hotel De Koka dhe dy dyqaneve tjera, Isufi nxori pistoletën me leje dhe gjuajti dy-tre plumba në ajër.
Protestuesit u larguan, ndërsa pas disa minutave, ai u arrestua.
Në ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, është munduar që nëpërmjet këtij incidenti, ta kthejë vëmendjen nga ai. Në profilin e tij në Facebook, Mickoski shkruan se “ky është personi që sonte deshi të më vrasë”.
Megjithëse e vërteta është krejtësisht tjetër – në kohën kur Mickoski dhe turma e madhe kaloi urën dhe arritën gati te Ministria e Punëve të Jashtme, dhjetëra huliganë provokuan situatën në Çarshi dhe Isufi gjuajti për të parandaluar incidente të tjera më të rënda.
Rruga Press