(Video) Kaos në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, situatë e tensionuar mes deputetëve të VMRO-së dhe Xhaferit
Situatë e tensionuar gjatë seancës parlamentare e cila është duke vazhduar edhe pas orarit të punës së Kuvendit. Koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski fillimisht kërkoi ndërhyrje procedurale, por kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk i lejoi. Ai kërkoi që të votohet për rendin e ditës, pasi paraprakisht fjalën ua dha dy deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët nuk dolën në foltore për shkak se insistonin në ndërhyrje procedurale. Pas kësaj, Xhaferi i tha Micevskit të mos i afrohej dhe të largohej nga tavolina e tij.
“Shko e ulu në vendin tënd nëse nuk je për rrahje”, i tha Xhaferi Micevskit.
“Mos më prek, mos më sulmo”, ka reaguar Micevski, pas së cilës Xhaferi i ka thënë: “Ik dhe shko në foltore”. Pas kësaj, Xhaferi e vuri në votim rendin e ditës, ndërsa Micevski reagoi: “Ty turp, turp, çfarë rendi të ditës”.
Derisa deputetët po votonin, Xhaferi i tha Micevskit: “Ju bëni atë që doni të bëni, mos mu afroni mua. Bëj çfarë të duash, mos mu afro”.
Deputetja Dafina Stojanoska i tha Xhaferit: “Mos ki frikë”, dhe ai përfundoi: “Për rendin e ditës votuan 61 deputetë. 39 deputetë që qëndrojnë këtu janë kundër”.
Micevski mbeti në tavolinën e Xhaferit për të kërkuar ndërhyrje procedurale. Në fund, pas të gjitha sqarimeve, Xhaferi tha se qytetarët presin që Kuvendi të funksionojë.
Rruga Press