Opinion/Aktualitet

Vëzhgim diplomatik: Gardhi i ndaluar i Ambasadës Shqiptare

Nga Shaban Murati

Në kuadrin e një udhëtimi pune në Stokholm bashkë me një regjisor të shquar të filmit, i drejtova Ambasadës së Shqipërisë në Suedi një kërkesë që bashkë me regjisorin të bënim një vizite në ambasadë. Regjisori donte që të bënte një intervistë me mua në mjediset e ambasadës, ku unë kam qenë 5 vjet Ambasador i Shqipërisë në Suedi, si dhe të filmonte disa pamje të ambasadës.

Përgjigja zyrtare, që më erdhi nga ambasada, më la pa mend: “Per xhirimet duhet të pyes në Tiranë. Patjetër që duhet pyetur, sepse ato janë ambjente që vetëm persona të autorizuar mund të hyjnë. Do të ishte më praktike t’i shkruani ministrisë për të kërkuar leje për të përdorur ambjentet e tjera të ambasadës, duke qenë se nuk ka shumë kohë”.

Lexo më shumë  Mbylle TikTok-un sa të duash, por 14-vjeçarët do rriten sërish mes llumit

Me një nivel kooperativisto-komunist ambasada më tregonte se gardhi i ambasadës shqiptare ishte i ndaluar për ish-ambasadorin. Unë, që kisha shërbyer në atë ambasadë dhe në ato zyra 5 vjet Ambasador i Shqipërisë në Suedi, ndalohesha të kapërxeja gardhin e ambasadës pa autorizimin e Ministrisë së Jashtëme në Tiranë.

Unë, që kam qindra fotografi dhe video të të gjitha mjediseve të asaj ambasade, ndalohesha të filmoja veten në ato mjedise dhe duhet të kërkoja leje me shkrim nga Ministria e Jashtëme e Shqipërisë për kërkesën time. Iu përgjigja, jo pa ironi, se unë shërbej aktualisht si këshilltar diplomatik i një zyrtari të lartë të shtetit, për t’ithënë që unë e kam edhe sot çertifikatën e sigurisë, që të hyj në zyrat e ambasadës shqiptare, ku u dashkan të hyjnë vetëm persona të autorizuar nga ministria e jashtëme.

Natyrisht asnjë përgjigje nuk pata më.

Nuk më erdhi keq për trajtimin policor, që po më bëhej mua si ish-ambasador I Shqipërisë në Suedi dhe si diplomat karriere, që ka shërbyer çerek shekulli në Ministrinë e Jashtëme, dhe befas më vihej përpara gardhi i ndaluar i ambasadës sime.

As për nivelin mjeran dhe ligësinë rurale të përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Suedi. Më erdhi keq për ministrinë e jashtëme, për diplomacinë dhe për shtetin tonë, se ku janë katandisur me këtë nivel prapambetje profesionale dhe intelektuale.

Imagjinoja ata mijra shqiptarë të diasporës, që jetojnë në Suedi, dhe të cilët për të vizituar ambasadën e shtetit të tyre duhet të kërkojnë leje me shkrim nga ministria e jashtëme në Tiranë.

Kujt i duhet kjo lloj diplomacie e drujtë dhe pa tru?

YouTube player