Vettingu dhe Byroja Shtetërore, Kurti: Kanë mbetur të bllokuara në Gjykatën Kushtetuese, ende s’ka vendim
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur për Vettingun në drejtësi dhe për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se këto dy projektligje janë bllokuar që disa muaj në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ai tha se Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dal me ndonjë vendim për këto dy çështje.
“Shteti i së drejtës nuk ka alternativë. Reforma në Drejtësi me qëllim të pavarësimit, profesionalizmit, dhe rritjes së efikasitetit në ndarjen e drejtësisë, është prioritet i yni. Puna për jetësimin e saj, nuk ka reshtur për asnjë moment, që prej ditës së parë të qeverisjes sonë.
Menjëherë pas dritës së gjelbër të Komisionit të Venecias për Vetingun në Drejtësi, ne kemi përgatitur e përpiluar amandamentet kushtetuese për këtë qëllim. Ka më shumë se katër muaj që jemi në pritje të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëse këto amandamente janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës sonë. Urojmë që kësaj pritje t’i vijë fundi së shpejti, sepse rruga është e gjatë.
Kemi miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar. Por, që nga 21 shkurti i këtij viti, mbetet i bllokuar në Gjykatën Kushtetuese pas kontestimit të tij nga opozita. Kanë kaluar gati pesë muaj. Ende pa përgjigje. Edhe për këtë urojmë të kemi një vendim së shpejti, sepse Byroja do të ketë shumë punë para vetes”, ka thënë Kurti.
Kurti po ashtu foli edhe për reformën në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Kryeministri i vendit tha se sot do ta shqyrtojnë projektligjin me ndryshimet në përputhje me aktgjikimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Reformë po aq e rëndësishme, është edhe ajo në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Siç jeni në dijeni, pavarësisht opinioneve pozitive nga Komisioni i Venecias, dhe hartimit të tij në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare, Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për KPK-në.
Megjithëkëtë, pas një procesi konsultues më të gjithë akterët, përfshirë shoqërinë civile dhe partnerët tanë, sot do të shqyrtojmë edhe projektligjin e ndryshuar për Këshillin Prokurorial, në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës. Projektligji me ndryshimet e parapara, do të jetësojë reformën në Këshillin Prokurorial. Përmes këtij synohet eliminimi i grupeve të interesit dhe korporatizimit brenda Këshillit Prokurorial, eliminimi i ndikimeve politike dhe të tjera në sistem si dhe të synohet përmbushja e mandatit kushtetues të Këshillit Prokurorial.
Pra, na kanë vonuar pak, por ne nuk jemi shpërqendruar aspak. Me projektligjin e ri që do t’ia përcjellim Kuvendit sot, po e vazhdojmë rrugën tonë drejt reformave në drejtësi. Me bindje të njëjtë, e me vullnet edhe më të madh”, u shpreh Kurti.
Rruga Press