KryesoreOpinion/Aktualitet

Veterani i UÇK-së, Oseku: Vetëm te popujt pa traditë shtetnore, gjeneralët e luftës duen me ngelë El General edhe në paqe

Shkruan Frashër Oseku

Çdo shoqni që ka pësu pushtime e përmbysje ka pasë krerët e vet kryengritës. Janë quajtur gjeneralët e malit. Gjeneralët e rezistencës. Gjeneralët partizanë.

Kur kanë pasë fatin me fitu luftën në vende me traditë demokratike, si psh në Francë, në Norvegji, a në Danimarkë, iu kanë dhanë dekorata, e i kanë demilitarizu. E nëse kanë hy në politikë, kanë marrë me vete reputacionin e mirë, por jo gradat ushtarake. Edhe ata që kanë qenë oficerë karriere, si De Gaulle në Francë, a Helset në Norvegji, sa kanë hy në parti i kanë lanë gradat në shpi.

Vetëm te popujt pa traditë shtetnore, gjeneralët e luftës duen me ngelë El General edhe në paqe. Gjeneral Zapata. Gjeneral Enveri. Mareshal Tito. Gjeneral Jasir Arafati. Gjeneral Haradinaj.

Lexo më shumë  Kurti: Qeverisja e VV-së do të vazhdojë mbështetjen e bizneseve

Unë vetë kam qenë ushtar në dy lufta, e kam çdo respekt për sakrificat e shokëve të armëve. Kanë hupë familjarë, u janë djegë shtëpi e katandi. Kanë lanë copa të trupit nëpër fronte, kështu si unë. Ata e kanë fitu të drejtë për çdo respekt – sa i përket kohës së luftës. Mirëpo, nëse kanë zgjedhë me i hy politikës, duhen me e fitu respektin përësëdyti, tash si krenë të politikës. Veç ta kishe pa se qysh është kritiku De Gaulle në parlament francez mbas lufte, të kish ikë truni! Si ndër francezë ma!

Lexo më shumë  New York Times: Vuçiqi “sakrifikoi” kryeministrin, që të fitojë kohë 

Unë ju ftoj të tanëve mos me tregu ma asnjë respekt të tepruar, qoftë ndaj meje, qoftë ndaj shokëve të mi të luftës, sa herë që shprehemi për politikë. Është budallik ky, me kujtu që dikush i suksesshëm në një fushë është automatikisht i suksesshëm në të tana fushat. Peshku noton shumë suksesshëm në ujë por nuk i grahë dot autobusit me sukses, sado që me dashtë. Gjeneralët e malit ishin si peshku në ujë në kohë të luftës. Por në kohë të paqes, po i hypin autobusit. Është e drejta jonë me u thanë mjaft ma.

YouTube player