Vetëm pak fjalë mbi sjelljen e kryeministrit shqiptar në KE
Nga Elvis Hoxha
Nuk mund ta analizosh thjesht logorenë e Ramës. Ajo mbart aq shumë gabime në përmbajtje dhe formë, në etikë dhe në përfaqësim, sa do të duheshin orë të tëra për të sqaruar se në ç’hall i ka futur shqiptarët me atë fjalim. I mësuar mes të vetëve, Rama lëshon logorenë e tij të pakontrolluar në çdo foltore. Natyrisht ai ka përgjegjësi për veten, por aspak për shtetin, kombin dhe popullin që përfaqëson. E privatizon foltoren, e zhvendos temën, akuzon në bllok të gjithë ata që ka përpara vetes, abuzon me vuajtjet e Kosovës, pothuaj tallet me ata që i drejtojnë pyetje, tallet me presidentin e asamblesë duke mos ia marrë parasysh kërkesën për me qenë më konçiz në të shprehur, por, përkundrazi, merr edhe më shumë kohë për të cituar gjyshen e vet shumë të zgjuar. Rama është aty që t’i pëlqejë Spiropalit dhe patronazhistëve. Ai ndjek linjën e Enver Hoxhës që bërtiste për interesat e Shqipërisë në një foltore të Parisit, ngaqë e dinte se Shqipëria do të shkonte drejt Lindjes dhe jo Perëndimit.
Ramës nuk i duhet Perëndimi, ndaj mund ta fyejë një institucion të tillë si Këshilli i Evropës. Strategjia e tij e vetme është përdorimi i Kosovës, i shtëpisë së verdhë aty ku nuk duhet. Pra e mbron Kosovën aty ku nuk ka vlerë dhe kur nuk ka vlerë, madje kur mund të jetë kundërproduktive. E akuzon Këshillin e Evropës për shtëpinë e verdhë kur nuk ka më vlerë. E përdor strategjinë e shtëpisë së verdhë kur nuk mund të ndryshohet asgjë. Dhe e bën këtë gjë në kohën kur duhet të përgjigjet për arritjet e Shqipërisë në lidhje me sistemin e drejtësisë, stabilitetin dhe sigurinë, luftën ndaj krimit të organizuar dhe ekonominë. Kur ishte koha të ngrinte cështje të tilla, nuk bëri asgjë për të ndaluar akuzat e Dick Martyt me instrumente juridikë, madje shtyu formimin e gjykatës speciale sepse nuk mendonte që do të merrej Thaçi në bankën e të akuzuarve.
Arroganca e Rames ne KE u shpëfaq disa herë:
I akuzoi në bllok të gjithë pjesëmarrësit për përmbysje historike të viktimës dhe xhelatit, të gjithë anëtarët dhe parardhësit e tyre, por është ky vetë që me politikën e tij e ka ndaluar akuzën e Serbisë për gjenocid në Kuvendin e Shqipërisë dhe ka ndaluar pyetjet e medieve drejtuar Vuçiqit për krimet në Kosovë.
I mori 50 minuta kohë fjalim seancës së KE-së, a thua se aty janë deputetët e kuvendit të shëmtuar shqiptar që qeshin me batutat dhe logorenë e shefit të tyre. Madje në një moment bëri edhe krahasimin e KE-së me kuvendin e tij në Tiranë.
Gjatë përgjigjeve iu tha atyre që drejtuan indinjatën apo pyetjet e tyre se duhet ta lexojnë fjalën e tij disa herë ngaqë nuk e kuptuan siç duhet. Ngaqë siç duket ata nuk e kanë inteligjencën e kryministrit tonë.
Ju deklaroi, çka është e pashembullt në një ligjërim të lartë, se ai mbron të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Natyrisht që Rama e përdor të vërtetën, por nuk e mbron kurrsesi atë. Kjo sjellje mund të ketë vetëm një justifikim: Edi Rama nuk e do miqësinë e KE-së për vendin e tij.
Mirëpo, dhe këtu qëndron rëndësia e fjalës së Ramës për vetë Ramën, ai i tha disa teza që vlejnë për të:
– përsëri Rama e tha se presidenti i Serbisë është miku i tij;
– përsëri tha se Ballkani i hapur është kusht për procesin e Berlinit;
– përsëri tha se nuk duhet t’i bëhet presion Serbisë në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë;
– përsëri tha se ka vetëm një problem me Gjykatën Speciale, faktin që miku i tij Thaçi është atje;
– përsëri tha se në Shqipëri e Kosovë, Rusia nuk ka asnjë ndikim;
– përsëri i ofendoi institucionet evropianë po me atë gjuhë që përdor në Kuvendin e shëmtuar të Shqipërisë,
– përsëri ai tregoi se nuk i intereson emri i Kosovës veçse lakimi i saj sa herë që Rama do të pastrojë fytyrën e qeverisjes së vet.
Rruga Press