Lajme

“Vetëm hoteli ynë nuk u bë rrafsh me tokën”, ekipi i mundjes i Kosovës i shpëtoi tërmetit në Turqi

Pak orë para zgjimit të planifikuar dhe nisjes për në Kosovë, anëtarët e delegacionit të Federatës së Mundjes të Kosovës kanë përjetuar tmerrin në qytetin Kahramanmarash të Turqisë, i cili u godit nga tërmeti i fuqishëm prej 7.8 ballë të Rihterit, mëngjesin e së hënës.

Në fakt, mundësit dhe drejtuesit e tyre ishin duke fjetur kur në orën 4:20, sipas kohës lokale, goditi tërmeti që rrënoi pothuajse gjithçka në këtë qytet. Kahramanmarashi është qyteti më i goditur.

Për fatin e tyre të mirë, anëtarët e ekipit të Kosovës i shpëtuan më të keqes, edhe pse të gjitha objektet afër hotelit ku ishin vendosur janë rrënuar në tërësi.

Edhe hoteli është dëmtuar, por nuk është rrënuar, ka treguar sekretari i Federatës së Mundjes së Kosovës, Genc Fazlija.

Fazlija ishte njëri prej gjashtë anëtarëve të delegacionit të Kosovës që prej të premtes ishte vendosur në qytetin Kahramanmarash për të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar të mundjes “12 February”, i cili është në kalendarin zyrtar të Federatës Botërore të Mundjes.

Kosova në këtë turne u paraqit me tre garues: Fatlum Braka, Bleonit Bytyqi e Egzon Xhoni. Sipas sekretarit Fazlija, të gjithë anëtarët e delegacioni janë shëndosh e mirë dhe pa lëndime. Madje Fazlija thotë se ata ndihmuan në nxjerrjen e njerëzve që kishin mbetur nën gërmadha, përpara se të largoheshin dhe të vendoseshin në qytetin Kayseri, 300 kilometra më larg.

Fazlija nuk e di se kur do të mund të kthehen në Kosovë, pasi thotë se për momentin çdo gjë është e bllokuar në Turqi.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

“Dëmet më të mëdha janë në këtë qytet ku ishim të vendosur dhe prej të premtes morëm pjesë në turneun ndërkombëtar, i cili përfundoi të dielën. Të hënën kemi pasur që të nisemi për në Kosovë, por tashmë gjithçka është e bllokuar dhe mbetet të shihet se kur do të nisemi fillimisht për Stamboll dhe pastaj për në Prishtinë. Jemi zhvendosur 300 kilometra larg, në qytetin Kayseri, por gjithçka është bllokuar për shkak të gjendjes së rëndë”, ka thënë Fazlija.

“Gjithkah janë dëmet e mëdha, madje edhe nëpër rrugë dhe për këtë arsye nuk dihet se kur do të mund të largohemi nga këtu. Por ne jemi shëndosh e mirë dhe bashkëndiejmë me të gjithë ata që humbën personat e tyre të dashur”.

Fazlija ka përshkruar edhe situatën kur ndodhi tërmeti dhe si arritën të largoheshin nga hoteli ku ishin vendosur. Ai tha se muret dhe tavani filluan të rrënoheshin, por jo edhe konstruksioni, ndërsa shkallët veçse kishin nisur të shembeshin. Drejtuesit e FMK-së fillimisht u kujdesën për t’i larguar garuesit e rinj dhe pasi dolën nga hoteli filluan t’i ndihmojnë personat që kishin nevojë.

“Ishte shumë vështirë që të dilnim nga hoteli, pasi muret filluan të rrënoheshin dhe nuk kishte shumë kohë për të menduar. Hoteli ynë mbeti pa u rrafshuar derisa objektet e tjera që ishin afër tij u bënë rrafsh me tokë. Kur dolëm ishte një pamje vërtet e trishtë, pasi kishte vetëm gërmadha dhe aty menjëherë filluam t’i ndihmojmë njerëzit. Po ashtu, kishte edhe të reshura dhe kjo e vështirësoi situatën, por pastaj u kthyem edhe një herë në hotel për të marrë gjësendet përpara se të na largonin”, u shpreh Fazlija. “Ne morëm mundësat që i kishim dhe dolëm disi, edhe pse nuk ishte aspak lehtë sepse po shembej pothuajse çdo gjë. Por falë Zotit arritëm të shpëtojmë. Me të ardhur policia, fillimisht na falënderuan dhe pastaj na thanë që duhet të largoheshim për shkak se ishim të huaj”.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Ai nuk ka informacion për garuesit e shteteve të tjerë, ndonëse thotë se po dyshohet se hoteli ku ishte i vendosur ekipi i Turqisë është rrënuar. Sipas Fazlijës, ka të lënduar por nuk dihet nëse ka edhe viktima, gjë që lutet të mos ketë.

Fazlija thotë se pas përfundimit të turneut, të dielën, si Federatë kishin arritur marrëveshje bashkëpunimi me Federatën e Turqisë. Ai thotë se ishin dakorduar që mundësit t’i dërgonin në kamp stërvitur në këtë qytet, i cili njihet si qytet i mundjes.

“Prej këtij vendi dalin më të mirët në botë dhe njihet si shtëpia apo tempulli i mundjes. Ne bëmë një marrëveshje për kampe të përbashkëta, por tani gjithçka është rrënuar. Ka dyshime për garues të tjerë të lënduar dhe po lutemi që të mos ketë viktima”, shtoi Fazlija. “Qyteti i mundjes tashmë është rrafshuar, sidomos pas tërmetit të dytë, i cili ishte po aq i fuqishëm”.

Në kohën kur ndodhi tërmeti i dytë, disa orë më vonë, ekipi i Kosovës veçse ishte rrugës për në Kayseri.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *