Opinion/Aktualitet

Vetëm bashkëpunimi mund të na shpëtojë nga kolapsi

Nga Jayati Ghosh

Apokalipsi ka mbërritur. Është ky mesazhi që po na dërgon “stuhia e përsosur” e krijuar nga pandemia e Covid-19 dhe ndryshimet klimatike. Pandemia do të zgjasë ndoshta edhe disa vite të tjera, sepse koronavirusi i ri po evoluon në variante gjithnjë e më infektive dhe rezistente ndaj ilaçeve.

Dhe ndërkohë siç po e shohim në kohë reale, kriza klimatike është gjallëruar ndjeshëm. Raporti i fundit nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPÇ), i publikuar në muajin gusht, thekson se tashmë disa ndryshime klimatike janë të pakthyeshme, dhe do të prekin të gjitha rajonet e botës, siç po shihet nga valët e të nxehtit ekstrem, zjarret dhe përmbytjet e muajve të fundit.

Ruajtja e ngrohjes globale në nivele të menaxhueshme (edhe nëse kjo është deri në 1.5 gradë, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015) do të kërkojë ndryshime të mëdha në politikën ekonomike të secilit vend.

Nga ana e saj, pandemia e ka goditur rëndë punësimin dhe jetesën, duke zhytur miliona njerëz në varfëri, sidomos në vendet në zhvillim. Raporti i tendencave botërore të punësimit dhe perspektivës sociale nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, tregon në detaje shkallën e dëmeve.

Në vitin 2020, pandemia shkaktoi humbjen e gati 9 për qind të orëve totale të punës në mbarë botën, ose ekuivalente me 255 milion punë me kohë të plotë. Kjo tendencë vazhdoi edhe gjatë këtij viti, me humbjen e orëve të punës që janë ekuivalente me 140 milion të punësuar punë me kohë të plotë në 3 muajt e parë të vitit, dhe 127 milion vende pune gjatë 3-mujorit të dytë.

Nëse konfirmohen tendencat aktuale, rritja e pritshme ekonomike do të jetë e pamjaftueshme për të kompensuar këto humbje. Po ashtu punësimi total për vitin 2022, do të jetë më i ulët sesa në vitin 2019. Pavarësisht nga një rritje relativisht e fortë e punësimit në Shtetet e Bashkuara, përkeqësimi i tregut të punës në rajone të tjera, veçanërisht tek ato më të varfra, do të jetë edhe më i theksuar.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Për më tepër, punët “e reja” të lidhura me rimëkëmbjen do të paguhen dobët, dhe me cilësi të ulët. Ndërkohë, pabarazia ekonomike ka arritur nivele të paimagjinueshme. Ndërsa shumë njerëz duhet të përballen me uljen e të ardhurave, tek më pak qasje në nevojat bazike dhe me urinë masive, një pakicë njerëzish shumë të pasur dhe disa kompani të mëdha, kanë dalë sërish të fituar edhe në këtë kohe krize.

Format e reja të konsumit të luksit janë të pabesueshme. Kështu njeriu më i pasur në planet, Xhef Bezos, shpenzoi 5.5 miliardë dollarë për një udhëtim 4 minutësh në hapësirë. Kjo shumë e madhe mund të kishte financuar për shembull për nismën Covax, duke siguruar vaksina për 2 miliardë njerëz në vendet e varfra.

“Stuhia e përsosur” do të sjellë më shumë destabilitet social dhe politik. Në vend se të stimulojë një axhendë progresive politike, ajo mund të çojë në dhunë etnike, racore dhe kaos. Ky është një skenar që mund të shmanget vetëm përmes rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar.

Lidhur me klimën, qeveritë mund të deklarojnë se do të zvogëlojnë në një mënyrë më vendimtare dioksidin e karbonit dhe emetimet e tjera të gazit serë, për të arritur në zero emetime brenda 10 viteve të ardhshme. Natyrisht, janë vendet e pasura dhe me emetim të lartë, ato që duhet të bëjnë reduktimet më të mëdha, dhe që duhet të transferojnë teknologjitë e gjelbra në vendet në zhvillim, duke iu dhënë mundësi edhe këtyre të fundit që të dekarbonizohen.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Ndërkohë për ta vënë nën kontroll pandeminë, nevojitet rishpërndarja e dozave të vaksinave që janë dispozicion, dhe heqja e kufizimeve ligjore në zgjerimin e prodhimit të tyre. Për më tepër, kompanitë farmaceutike, të cilat kanë marrë subvencione publike për zhvillimin e vaksinës, duhet të ndajnë teknologjinë e tyre me të tjerët për të rritur prodhimin e vaksinave anti-Covid.

Ndërtimi i një kapaciteti prodhues të qëndrueshëm dhe të decentralizuar, do të jetë një element kyç për të adresuar krizat shëndetësore të së ardhmes. Sa i përket politikës ekonomike, nevojitet një bashkëpunim fiskal global.

Disa rregulla të thjeshta që do t’i detyrojnë kompanitë shumëkombëshe të paguajnë të njëjtën normë tatimore si ato me seli në një vend, dhe të sigurojnë që të ardhurat të ndahen në mënyrë të barabartë midis vendeve, do të zvogëlonin pabarazinë dhe do të ndihmonin shumë ekonomitë në zhvillim.

Një mekanizëm ndërkombëtar si i zgjidhjes së krizës së borxhit sovran, do të zvogëlonte barrën tatimore të shumë vendeve të varfra, duke krijuar hapësirë ​​për shpenzimet emergjente. Mjerisht, politika globale e bën të pamundur zbatimin e këtij programi.

Qëndrimi i qeverive të G7-ës, të fiksuara më shumë me rritjen e Kinës, sesa me nevojën për të ruajtur planetin, është dëshpërues. Nacionalizmi i tyre i vaksinave është dritëshkurtër, ndërsa lidhja e tyre me të drejtat e pronësisë intelektuale, u jep mundësi kompanive që të kufizojnë prodhimin dhe të maksimizojnë fitimet.

Njerëzimi po përballet me humnerën, por ka ende mundësi që të bëjë një hap prapa. A do e bëjë këtë, apo speciet e ardhshme do të pyesin se pse ne morën pjesë aktive në shkatërrimin tonë? / “Internazionale” – Bota.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *