Lajme

Vetëm 2 rrëqebuj kanë mbetur në malin e Munellës, 30% e species së rrallë “zbukuron” restorantin në Elbasan. Ekspertët: Ata i vrasin, gjykata neglizhon!

Në Shqipëri jetojnë mijëra kafshë të egra, por nga ky numër rezultojnë të inventarizuar më pak se 10 individë të rrëqebullit të Ballkanit pasi kërcënohet kryesisht nga gjuetia e paligjshme, prerja e pyjeve, shkatërrimi i habitatit si dhe mungesa e gjahut.

“Nga rezultatet e grumbulluara me metodën e kamerave kurth në Shqipëri jetojnë më pak se dhjetë individë, ndërsa në gjithë Ballkanin jetojnë më pak se 50 individë. Rrëqebulli është i pranishëm në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Rrëqebulli është i rrezikuar në mënyrë kritike edhe në nivel global jo vetëm në Shqipëri. Arsyet janë gjuetia e paligjshme, fragmentimi dhe shkatërrimi i habitatit, si dhe vrasja e paligjshme e preut.

“Arsyet janë tre, thotë për News 24 Bledi Hoxha, menaxher projekti pranë Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri PPNEA.

Rrëqebulli i Ballkanit është një lloj tejet i rrallë, karizmatik dhe i fshehtë, i cilësuar si thesar i natyrës shqiptare. Megjithatë 30% e popullatës së rreqebullit në gjithë vendin është balsamosur në këtë restorant ne Elbasan nga dora vrastare e njeriut që vijon ta dëmtojë pamëshirshëm e në mënyrën më kriminale duke rrezikuar ekzistencën e species se rrallë te quajtur “legjendare” ne Ballkan. Në shkurt të 2020 kamerat-kurth në rajonin malor Polis-Guri i Zi në Elbasan fotografuan për publikun një surprizë të paimagjinueshme e të rrallë.

Një familje rrëqebulli, e përbërë nga tre individë. Por mesa duket një ndër këta rrëqebuj përfundoi i balsamosur në restorantin famëkeq thotë për News 24 Bledi Hoxha, menaxher projekti pranë Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri. Me dosjen që pret vendimin për keqbërësin prej tre vitesh, gjykata e Elbasanit ende nuk e ka thënë fjalën e saj.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

‘Kemi denoncuar rastin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Elbasan pasi përbën vepër penale, ne jemi në pritje të zbardhjes së rastit. Gjykata e Elbasanit po e neglizhon prej 2020 nuk kemi të zbardhur rastin. Nga raportimet që kemi marrë, ky rrëqebull është ekspozuar në një restorant në Elbasan”, tha Hoxha, menaxher projekti pranë PPNEA.

Në një strehë të rrëqebullit, në malin e Munellës që shtrihet në territorin Pukë-Mirditë, situata paraqitet më serioze. Popullata sot është reduktuar në 2 individë.

“Trendi i popullatës së rrëqebullit të Ballkanit nga studimet tona në PPNEA, nga vitit 2014 dhe së fundmi në vitin 2023, tregon se është përgjysmuar. Kjo do të thotë se nga 6-7 individë që kemi identifikuar në rajonin e Pukës dhe të Mirditës, aktualisht kane ngelur vetëm dy individë.”,-thotë menaxheri i projektit Hoxha.

Më tej shprehet se planifikimi i ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës, të paneleve diellore dhe mullinjve të erës në habitatin e tyre do të ulin popullatën në territorin shqiptar duke rrezikuar zhdukjen e species.

“Një nga projektet që po zbatohet nga qeveria shqiptare, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës shërben si fragmentim i rrëqebullit të Ballkanit në zonën e Munellës dhe në Mavrovë në Maqedoninë e Veriut. Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës ndan përfundimisht këto dy popullata, të cilat nëse do të mbrohen është një shpresë për ta rimëkëmbur specien e tyre. Kemi edhe nisma si panelet diellore apo mullinjtë e erës, këto projekte janë planifikuar të ndërtohen në korridore ku edhe rrëqebulli kalon, pra është shkatërrimi i habitatit, që ndikon negativisht në ulen e popullatës.

Në një takim me gjuetarë të Federata së gjuetarëve të Shqipërisë, PPNEA kërkon një aleat kyç për mbrojtjen e rrëqebullit të Ballkanit.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

“Në këtë workshop ne i shohim gjuetarët si aleat kyç sa i takon mbrojtjes së rrëqebullit të Ballkanit, po rrisim bashkëpunimin për të zbutur gjuetinë e paligjshme në zonat ku jeton rrëqebulli i Ballkanit”-u shpreh Hoxha. Sakaq presidenti i Federatës së Gjuetarëve Shqiptarë zoti Themi Perri tha se do të komunikojnë me komunitetet në zonat rurale për t’i informuar në lidhje me karakteristikat e rrëqebullit pasi shpesh ngatërrohet me macen e egër.

Në vitin 1950 në Shqipëri numëroheshin 86 individë të rrëqebullit. Sot numërohen më pak se 10 të tillë.

Nga tre popullata të identifikuara në rajonin e Ballkanit, dy prej tyre ndodhen në Shqipëri, në rajonin e Malit të Munellës dhe në ekosistemin Polis-Gur i Zi-Valamarë.

Masa trupore e të rriturve varion ndërmjet 18-25 kg. Pamja e rrëqebullit është mjaft karakteristike. Kafshët kanë një kokë relativisht të vogël, këmbë të gjata, dhe një bisht shumë të shkurtër me majë të zezë.

Periudha e riprodhimit të tij zhvillohet nga shkurti deri në mes të prillit. Lindja bëhet pas 60-70 ditësh, zakonisht në fund të majit.

Rrëqebulli i Ballkanit është mjaft “nazeli” në ushqim. Preja kryesore e rrëqebullit është kaprolli, dhia e egër dhe lepuri.
Në zonat ku ka dendësi të ulët të thundrakëve, shpendët dhe brejtësit përbëjnë një pjesë të rëndësishme të dietës së tij.
Rrëqebulli i Ballkanit, mbrohet plotësisht nga legjislacioni shqiptar si dhe nga konventat ndërkombëtare, ku është pjesë e CITES dhe renditet në Shtojcën II të Konventës së Bernës.

Në Shqipëri, rrëqebulli i Ballkanit, mbart statusin i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje.

Rruga Press

YouTube player