Vetë Orwelli do e pranonte se qe një lliliput para Swiftit gjigand dhe se i vinte keq gjer dhe turp që libri i këtij të lexohej në këto kohëra dhjetra herë më pak se 1984-a e tij
Shkruan Krenar Zejno nga stenda e Shtëpisë Botuese Zenit, te Panairi i Librit në Tiranë
Si s’më pyeti ndonjë gazetare e kulturës tani në panair ose tek kalon rastësisht aty te trotuari anës lanës, se kë nga librat që ke botuar do doje të kishe shkruar, që unë pa e menduar dy herë t’I përgjigjesha: po hyr një herë, futu brenda, dhe menjëherë t’ia tregoja: ja, këtë.
Dhe kur të thoshte po pse pikërisht Guliverin, unë t’ia ktheja ngase pikërisht më bën rimë me enverin. Dhe kur ajo, që tani sapo ra në temë, të nxirrte stilolapsin, unë t’i thoja jo, fute, fute brenda se bëra shaka, në fakt do doja të kisha shkruar Guliverin meqë është për të gjitha moshat, përmasat, të gjatë e të shkurtër, të gjitha gjinitë dhe të gjitha kohërat.
Por dhe për dobësinë që kam për të pse shitet shumëfish më pak se Xhorxh Orwelli i 1984-ës, i cili nga ana e tij nuk reshtte së thëni se sa i detyrohej Swiftit të madh për ndikimin, paradigmën e gjuhës, angushtisë prej ngushtimit të saj, dhe se sa kushedi herë e rilexonte ai Guliverin nga e para.
E pastaj, gjithë duke e tepruar nën hiperbolë alla guliver, t’I thoja gazetares sa me sa dëshirë për të vërtetën do e pranonte vetë Orwelli se qe një lliliput para Swiftit gjigand dhe se i vinte keq gjer dhe turp që libri i këtij të lexohej në këto kohëra dhjetra herë më pak se 1984-a e tij.
Sidoqë, duke lënë mënjanë teprimin, do t’i shtoja gazetares se për hir të së vërtetës edhe gjetja profetike e Orwellit nuk është aq e vogël, mjafton fakti i mësipërm për të kuptuar triumfin e përplotë të diktatit të shoqërisë së spektaklit që ai parashikoi dhe e paraqiti me aq efikasitet nën një satirë pothuajse suiftiane.
Rruga Press