BotaKryesore

Janko Veselinoviq: SNS-ja e Vuçiqit funksionon si kartel droge, i ngjashëm me ato në Meksikë

Ekspertë dhe përfaqësues të opozitës në Serbi e shohin Partinë Progresive Serbe (SNS), si një strukturë me elemente të kartelit të drogës, të lidhur ngushtë me pushtetin shtetëror dhe të mbrojtur nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Sipas tyre, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë bërë pjesë e sistemit, ndërsa përgjegjësia penale shmanget për sa kohë që Vuçiq qëndron në pushtet.

Janko Veselinoviq, anëtar i Kryesisë së Partisë për Liri dhe Drejtësi, i ka thënë gazetës Danas se SNS funksionon si kartel, i krahasueshëm me ato në Meksikë. Ai thekson se, ndryshe nga Meksika ku shteti tentoi t’i shpërbëjë kartelët, në Serbi pushteti është bashkuar me ta.

Sipas Veselinoviqit, gjatë sundimit të Vuçiqit është zhvilluar një formë e “tregtisë shtetërore të drogës”, ndërsa kazinotë janë hapur masivisht, përfshirë edhe për të rinjtë. Ai përdori metaforën e “familjes së pathyeshme”, duke e krahasuar pushtetin aktual me struktura mafioze të njohura në Siçili dhe Italinë e Jugut, ku familje të caktuara morën pushtetin nga shteti.

Lexo më shumë  Policia e Kosovës: Asnjë rast i vrasjes në vitin 2025 në veri

Nga ana tjetër, Slavica Radovanoviq, deputete e Lëvizjës Punëtore Sloga-Struk, tha për Danas se progresistët janë të lidhur pas Vuçiqit sepse kapitali, liria dhe privilegjet e tyre varen drejtpërdrejt prej tij.

Ai shton se përfshirja e familjeve në politikë është mënyrë për të garantuar vazhdimësinë e përfitimeve, ndërsa glorifikimi i presidentit shihet si mjet mbijetese politike.

Radovanoviq rikujtoi edhe një episod të mëhershëm, kur, sipas saj, shefi i kabinetit të Vuçiqit, Ivica Kojiq, kishte sulmuar ministrat për mungesë reagimi publik në mbrojtje të familjes së presidentit, duke krijuar, siç thotë ajo, një klimë frike dhe varësie absolute ndaj liderit.

Kritika ka ardhur edhe nga Radivoje Jovoviq, profesor universitar dhe përfaqësues krahinor, i cili e ka cilësuar si “infantile” deklaratën e Milosh Vuçeviq për “besnikëri të përjetshme” ndaj Vuçiqit.

Sipas tij, një qëndrim i tillë nuk ka lidhje me demokracinë, por pasqyron mentalitete autoritare dhe kriminale.

Jovoviq theksoi se retorika e besnikërisë absolute synon të frikësojë forcat e ndryshimit shoqëror dhe njëkohësisht të shërbejë si mesazh servilizmi ndaj udhëheqësit.

Ai shtoi se udhëheqja aktuale nuk përfaqëson as “familje” dhe as struktura të fuqishme, por një grup individësh që, sipas tij, kanë tradhtuar interesat e shtetit dhe qytetarëve.

Akuzat e bëra nga këta zëra opozitarë vijnë në një kohë tensionesh të shtuara politike në Serbi dhe shtojnë debatet mbi gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit dhe lidhjet e pushtetit me krimin e organizuar. /thegeopost/

YouTube player