Vera e diz-integrimit
Shkruan Klejd Këlliçi
Çdo humbje është njëkohësisht dhe mundësi. Ndofta kjo duhet të jetë motoja e qeverisë Rama këtë qeshor të nxehtë, por kallkan të ftohtë në raport me procesin e integrimit europian. Deklarimi i Bullgarisë për mos hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut nuk qe i papritur, duke penalizuar kështu dhe Shqipërinë. Në pamje të parë, blloku i Bullgarisë duket si një pengesë e vogël, e shtyrë më shumë nga justifikime që pak kanë të bëjnë me idealet e BE, e që lidhen shumë me hallet e brendshme të Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut. Për herë të parë, ndofta ky refuzim nuk lidhet në mënyrë të drejtpërderjtë me Shqipërinë, as me problemet e shumta të saj në lidhje me krimin e organizuar, mos funksionimin e shtetit ligjor apo korrupsionin galopant. Duhet me prit! Deviza e re e qeverisë është një përzierje frustrimi, në mos krenarie, që minimalisht në BE pati njëfarë dakordësie, të paktën nga vendet e mëdha për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Politika europiane e qeverisë duket sikur ndodhet në një qorrsokak, me pak ose aspak mundësi dalje. Në këto kushte e vetmja mundësi e Ramës është kritika frontale ndaj BE, duke marrë rolin e moralizuesit, nxënësit të mirë i cili nuk kalon provimin pavarësisht performacës. Megjithatë nuk është e qartë sa e dëshirueshme është anëtarësia e Shqipërisë në BE, nëse ajo lidhet me objektivat e idealet e bashkësisë europiane, ose me përdorimin e tyre për finalitete të ngushta politike.
Në horizontin post integrim, Ballkani i hapur duket si një farë hakmarrje prej fëmijësh të frustruar të tre lidërve ballkanikë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë, kredencialet e të cilëve janë të diskredituara nga situatat e brendshme. Mungesa e demokracisë, korrupsioni galopant, shpërdorimi i pasurisë publike, janë karakteristikat e përbashkëta të këtyre vendeve. Shumë hipoteza janë hedhur për Ballkanin e hapur, si projekt i sponsorizuar nga ShBA apo nga vetë Gjermania. Në kushte të tilla vende si Kosova apo Mali i Zi do ta kishin mirëpritur një projekt të tillë, por me sa duket vetë pormovuesit e këtij projekti nuk inspirojnë as besimin më të vogël në këtë sipërmarrje. E megjithatë Ballkani i hapur ka një vlerë, në kushtet e diskreditimit masiv të tre liderëve. Për Serbinë, loja e Ballkanit të hapur ofron një farë lidershipi rajonal, të humbur me rënien e Jugosllavisë, dhe me izolimin post-millosheviçian. Për Maqedoninë e Veriut, iniciativa është njëfarë guri rezervë i cili luhet nga një lidership i mbështetur fuqimisht nga faktori ndërkombëtar, por që në fakt ka rezultuar nul për nga përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit apo në përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve për barazi trajtimin në shtetin e Maqedonisë së Veriut. E panjohura e vetme mbetet Shqipëria, i vetmi nga të dy vendet që nuk do të duhej të binte nën influencën e Serbisë. Që në fillesat e shtetit Shqiptar, si mbrëtëria Serbo-Kroato-Sllovene, me pas ajo jugosllave e më pas Jugosllavia Socialiste, janë parë si rrezik esencial për mbijetesën, në mos të shtetit, të elitave drejtuese. Përqafimit të Beogradit, ju përvodh Zogu e më pas Hoxha e që prej viteteve 50 të shekullit të shkuar. Me vitet 80-90, luftrat në Jugosllavi bllokuan përfundimisht tërheqjen nga çdo lloj iluzioni bashkëpunimi apo miqësie me Beogradin. E megjithatë, pa pasur parasysh historinë, jo si memorie por si mësim e eksperiencë, Rama po na hedh në krahët e Beogradit me lehtësinë trashanike të atij që as njeh as di e as kupton. Më shumë kohë po i merr kundështia ndaj reagimeve të opinionit publik sa shtjellimi i marrëveshjes.
Nëse ka patur një peng, në historinë e Shqipërisë, ky ka qenë gjithmonë Kosova. Pavarësisht real politikës në histori ‘doërëzimi’ mbi Kosovën prej elitës politike ka qenë gjithmonë i sforcuar e asnjëherë deri në fund i dëshiruar. Me Ballkanin e hapur, klasa politike në Shqipëri hedh hapin e parë e ndoshta atë më fatalin në shkëputjen e ndërgjegjshme nga Kosova, e ndoshta ky është shërbimi më i mirë që mund ti bëhet Serbisë. Nëse Serbia sot nuk e merr dot Kosovën, ajo përpiqet ta destabilizojë e deri sa tja pamundësojë ekzistencën e për këtë i duhet miqësia e Ramës.
©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara