Vengu flet për “ftesë” ndaj Serbisë, por aleancat ushtarake nuk funksionojnë si klube të hapura
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka deklaruar se marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë nuk është e drejtuar kundër askujt, madje duke pretenduar se Serbia është ftuar t’i bashkohet kësaj nisme. Deklarata e tij vjen pas akuzave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili e ka cilësuar marrëveshjen e arritur në mars të vitit 2025 si një “aleancë sulmuese kundër serbëve”.
Megjithatë, pretendimi për “ftesë” bie ndesh me realitetin e mënyrës se si funksionojnë bashkëpunimet dhe aleancat në fushën e mbrojtjes. Marrëveshje të tilla nuk janë iniciativa të hapura ndaj kujtdo dhe as nuk bazohen në ftesa politike deklarative, por në përputhshmëri strategjike, orientim të përbashkët gjeopolitik dhe interesa të qarta të sigurisë.
Vengu tha se nga ana e Serbisë ka vërejtur “sens paniku” në reagimet zyrtare, duke theksuar se marrëveshja është trepalëshe dhe nuk synon askënd. Ai madje deklaroi se ka shprehur gatishmëri që Serbia t’i bashkohet, nëse e konsideron të rëndësishme stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të rajonit, ndonëse pranoi se për këtë nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Në një konferencë për media më 26 janar, ministri shqiptar bëri të ditur se Shqipëria dhe Kosova tashmë kanë nisur bashkëpunimin konkret në kuadër të kësaj marrëveshjeje, përfshirë stërvitjet ushtarake, arsimin akademik dhe prodhimin ushtarak. Sipas tij, Tirana dhe Prishtina kanë pajtim për prodhimin e mjeteve të blinduara, duke qenë se i perceptojnë në mënyrë të njëjtë rreziqet dhe kërcënimet në rajon.
Edhe pse Vengu insiston se bashkëpunimi është “partneritet i hapur” dhe se mirëpret edhe vende të tjera, realiteti mbetet se marrëveshje të tilla nuk janë struktura ku çdo shtet mund të bashkohet sipas dëshirës. Aq më pak, një shtet si Serbia, e cila refuzon orientimin euroatlantik dhe ruan lidhje të ngushta strategjike me Rusinë.
Nga ana tjetër, Vuçiq ka vazhduar ta paraqesë marrëveshjen si kërcënim, duke e quajtur atë aleancë sulmuese. Kroacia ka reaguar duke theksuar se, si shtet anëtar i Bashkimit Evropian, vepron në mënyrë transparente dhe në funksion të paqes në Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova synon anëtarësimin në aleancën perëndimore. Në këtë kontekst, bashkëpunimi trepalësh shihet më shumë si koordinim mes vendeve me orientim të njëjtë strategjik, sesa si një strukturë e hapur ku “ftesat” politike mund t’u drejtohen kujtdo.
Rruga Press

