KryesoreLajme

Vendoset gurthemeli i shkollës së mesme të mjekësisë në Gjilan

Në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit është vendosur gurthemeli i Shkollës së Mesme të Mjekësisë, një projekt i rëndësishëm arsimor dhe shëndetësor për rajonin e Anamoravës dhe më gjerë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, theksoi se ndërtimi i kësaj shkolle shënon fillimin e një epoke të re.

“Në disa momente gurthemelet që i vejmë janë më shumë sesa vetëm kuptimi i një objekti që ndërtohet dhe shënim e fillim i një epoke të re për shumë prej nesh,” tha ai.

Hyseni theksoi rëndësinë strategjike dhe afatgjate të investimeve në arsim.

“Ndërtimi i shkollave janë ndër investimet më afatgjate, më të rëndësishme dhe nga vlera më të mëdha për një shoqëri të tërë”, tha Hyseni.

Ai potencoi se kjo shkollë do të luajë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e brezave të ardhshëm të profesionistëve shëndetësorë.

Lexo më shumë  Maqedonci dhe Helez diskutojnë forcimin e sigurisë rajonale në Sarajevë

“Në këtë shkollë që po e vejmë gurthemelin, nuk është vetëm mësimi që do të jepet këtu, por shumë më shumë është ndërtimi i brezave të së ardhmes”, u shpreh Hyseni.

Sipas tij, bashkëpunimi me organizatën Islamic Relief është thelbësor për realizimin e projektit.

“Kontributi i përbashkët me organizatën Islamic Relief nuk matet as me vlerë e as me metër investim, por më shumë matet në të ardhmen me jetët që do të shpëtohen nga kuadri që krijohen nga kjo shkollë,” deklaroi Hyseni.

Kryetari nënvizoi edhe dimensionin më të gjerë rajonal të shkollës.

“Po e fillojmë një epokë të re për Shkollën e Mjekësisë në Gjilan, bashkë për gjithë Anamoravën, Preshevën, Bujanocin, Kumanovën e më gjerë, ku nxënësit mësimet do t’i ndjekin në këtë shkollë.”

Lexo më shumë  Gjermania vendos në funksion mburojën kundër raketave balistike

Drejtori gjeneral i Islamic Relief, Wassem Ahmed, u shpreh i lumtur për këtë bashkëpunim dhe premtoi angazhim të vazhdueshëm:

“Është një ditë e rëndësishme jo vetëm për Gjilanin, por për gjithë rajonin në formimin e brezave që do të përgatiten si profesionistë shëndetësor”, tha Ahmed.

Ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Arsim Ademi, theksoi nevojën e madhe për këtë shkollë jo vetëm në Gjilan por edhe për rajonet përreth.

“MAShT-i ka fokus mbështetjen e investimeve të nevojshme në arsim, ku edhe nuk kanë munguar investimet për krijimin e kushteve më të mira për nxënësit”, u shpreh Ademi.

Drejtori i Islamic Relief Kosova, Dr. Mohamed Soliman, e konsideroi projektin si shumë të rëndësishëm për gjithë regjionin dhe premtoi vazhdimësi në mbështetje të projekteve të ngjashme në të ardhmen.

YouTube player