KryesoreLajme

Vendimi i Ministrisë së Arsimit në Shqipëri që shkel të drejtat e njeriut për të protestuar, intimidon mësuesit aktualë dhe ata të ardhshëm

Në bazë të ndryshimeve ligjore të bëra në qershor të këtij viti në Shqipëri dhe sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit, të datës 21.11.2023, do të bëhet një “pastrim i shkollave” nga mësuesit dhe punonjësit e tjerë në sistemin arsimor, të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë për 83 vepra penale.

Në këtë proces të përzgjedhjet do të kalojnë jo vetëm ata që janë të punësuar aktualisht, por edhe ata të cilët do të punësohen në të ardhmen.
Në morinë e këtyre precedentëve penal numërohen vepra si vrasja, korrupsioni aktiv dhe pasiv, vjedhja, falsifikimi i dokumenteve, pedofilia apo krimet seksuale ndaj të miturve, etj.

Këto masa paraqesin një ndërmarrje të mirë në drejtim të ruajtjes së kredibilitetit së figurës së mësuesit, rritjen e besimit në institucionet arsimore dhe nxitjen e një mjedisi sa më të mirë në institucionet arsimore.

Tashmë ka nisur grumbullimi i të dhënave në këtë drejtim, e më pas do të vijohet me shkarkimin e atyre personave të cilët dalin të ngarkuar me këto vepra, ndërsa ata të cilët janë në konkurs për punësim në institucionet arsimore parashkollore do të skualifikohen.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Por, në gamën e këtyre prurjeve shumë pozitive gjenden edhe disa pika tepër problematike, të cilat duket se shkelin të drejtat e njeriut dhe kanë nuancën e kontrollit karakteristik për vendet me prirje autoritare apo gjysmë-autoritare.

Mes veprave të sipërpërmendura që nuk lejojnë punësimin në institucionet arsimore janë edhe pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosja e pengesave apo barrikadave për të ndaluar forcat e rendit dhe pushtimi me forcë i ndërtesave.

Në asnjë vend jodemokratik një ndryshim i dëmshëm nuk ka ardhur i vetëm dhe haptazi. Ai ka ardhur brenda një pakete të ndryshimeve të mira, të cilat fshehin, vendosin në hije ato të dëmshme. I tillë është edhe ky ndyshim i cili do të shërbejë për të demotivuar pjesëmarrjen e mësimdhënësve nëpër tubime protestuese apo atyre të cilët aspirojnë të ndjekin këtë profesion.

Kujtojmë protestën e fundit masive studentore, e cila kërkonte kushte dhe sistem më të mirë arsimor në vend. Në këtë protestë morën pjesë studentë, mësues dhe pedagogë nga i gjithë vendi. Në disa fakultete pati bllokim të objekteve, e në disa raste pati edhe barrikadim të rrugëve nga ana e studentëve dhe nxënëseve të gjimnazit.

Me ndryshimet e reja bëhet fare i mundur shkarkimi i mësuesve që morën pjesë në ato protesta dhe ishin të pranishëm në objektet arsimore përgjatë bllokimit të tyre nga studentët apo nxënëesit, e të cilët janë dënuar nga gjykata për pjesëmarrje në atë ngjarje të madhe studentore. Po ashtu, bëhet e mundur edhe që të eleminohen nga gara për punësim në institucione arsimore parauniversitare ata ish-studentë që kanë marrë pjesë në atë protestë dhe janë dënuar në lidhje me pjesëmarrjen aty.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Në këtë mënyrë, këto ndryshime duket se janë bërë më shumë për të intimiduar mësimdhënësit e ardhshëm dhe ata aktualë, në mënyrë që në të ardhmen ata të distancohen nga protestat e mundshme, të drejta apo të padrejta qofshin ato. Dhe, pamundësimi i pjesëmarrjes në protesta dhe tubime publike, në forma ligjore, drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë është shkelje e të drejtave të njeriut.

Është për të ardhur keq që një mori masash që u tha se janë për të mbrojtur figurën e mësuesit, po përdoren për të kaluar ligjërisht akte ligjore të cilat denigrojnë mësuesin, duke nxitur tërheqjen e figurës së tij publike larg shqetësimeve publike dhe manifestimit rreth tyre, përmes intimidimit.

Rruga Press

YouTube player