Vdèkjèt e pjesëtarëve të Wagner-it po u fshihen familjarëve në Rusi
Herën e parë kur Vitaly Votanovsky është kontaktuar për të kuptuar më shumë për fatin e një luftëtari të grupit mercenar Wagner në Ukrainë, ka qenë nëntori i vitit 2022.
Ai e ka pranuar një mesazh në Telegram nga tezja e 22-vjeçarit Andrei Kargin, në të cilin është thënë se ajo nuk ka dëgjuar për nipin qe disa muaj, prej kur është angazhuar në Ukrainë me grupin rus, dhe ka pyetur nëse di diçka për fatin e djaloshit.
Ajo i ka mbushur të gjithë formularët për t’u kontaktuar në rast të vdekjes së tij, mirëpo Wagner nuk i ka thënë asgjë.
E dëshpëruar, ajo i është drejtuar Votanovskyt, një blogeri të mirënjohur dhe aktivisti me bazë në zonën e Kaukazit në Rusi.
Votanovsky është kontaktuar, pasi ai ka nisur të hetojë numrin e saktë të vdekjeve në Ukrainë, një vit pas nisjes së luftës.
Deri në fund të shkurtit, Votanovsky, e ka gjetur varrin e Karginit në një varrezë speciale për luftëtarët e Wagner-it që janë vrarë në Ukrainë.
Tezja e tij nuk është kontaktuar kurrë nga Wagneri për ta njoftuar se nipi i është vrarë, apo nëse ajo dëshiron të marrë pjesë në funeral.
Lajmi i vetëm që ka pranuar ka qenë një fotografi e bërë nga Votanovsky.
Prej atëherë, Votanovsky është kontaktuar nga disa familje për fatin e familjarëve të tyre që kanë luftuar si mercenarë për Wagner-in në Ukrainë.
Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se prej kur ka nisur të gjurmojë për të vrarët në Ukrainë, ai i ka identifikuar disa luftëtarë për familjarët në jug të Rusisë, në qytete sikurse Stavropol dhe Volgograd, e deri në Bjellorusi dhe Kazakistan.
Në shumicën e rasteve, familjet nuk janë informuar për vdekjet dhe vetëm e kanë zbuluar se familjarët e tyre nuk janë më gjallë, pasi dikush i ka postuar fotografitë e siguruara nga Votanovsky, nëpër kanale të ndryshme në Telegram.
“Vetëm në një rast, një grua ka qenë e informuar se luftëtari ka vdekur, të tjerët as që e kanë ditur”, ka thënë Votanovsky përgjatë një interviste.
“Në udhëtimin tim të fundit, kam gjetur shumë varreza me kurora jostandarde bardh e zi, dhe shumë familjarë kanë kuptuar lajmin për vdekjen e të dashurve të tyre në atë mënyrë”.
Kurorat bardh e zi janë kthyer në simbol të varrezave të luftëtarëve të Wagner-it, që janë vrarë në Ukrainë.
Grupi mercenar ka pësuar humbje të mëdha në muajt e fundit, sidomos pas ashpërsimit të luftimeve në qytezat ukrainase, Soledar dhe Bahmut.
Varreza speciale
Për t’i varrosur të gjithë trupat, Wagner ka hapur varreza të posaçme për luftëtarët e vrarë, shumica e të cilëve besohet se janë rekrutuar nga burgjet, në këmbim të angazhimit në luftë.
Votanovsky e ka zbuluar varrezën e parë të Wagner-it në dhjetor, në fshatin Bakinskaja, që gjendet brenda rajonit Krasnodar në jugperëndim të Rusisë.
Përveç shlyerjes së dënimit, shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin ka thënë publikisht se pjesëtarët e familjarit që merr pjesë në luftë, do të përfitojnë një shumë të hollash, nëse vritet në luftime.
Disa grupe të avokatëve kanë thënë se të burgosurve u është thënë se familjet e tyre do të pranonin një shumë prej 71.000 dollarëve, në rast se ata vriten.
Mirëpo, Votanovsky ka thënë se bazuar në komunikimet që ka pasur me familjet që kanë humbur dikë në luftën në Ukrainë, shumica nuk janë të informuar për vdekjet dhe paratë e premtuara nuk po i marrin.
“Natyrisht, është më e lehtë për Wagner-in që t’i varrosë të gjithë të vdekurit në një vend, sesa të merret me logjistikë komplekse dhe transportim të trupave rreth Rusisë, apo edhe në vendet fqinje”, ka thënë Votanovsky.
“Kjo edhe demonstron qasjen e vërtetë ndaj dy palëve, si ndaj të vdekurve, ashtu edhe ndaj familjarëve”.
‘Jashtë burgut për të vrarë’
Arsyeja e saktë pse familjarët e viktimave nuk po njoftohen, nuk dihet ende.
Në disa intervista që ka kryer Radio Evropa e Lirë me ekspertë, aktivistë, ish-mercenarë të Wagner-it dhe familjarë të të vrarëve, disa kanë thënë se mund të bëhet fjalë për një organizim të keq, apo edhe për koston financiare ndaj kësaj kompanie, marrë parasysh humbjet e mëdha me të cilat është përballur në muajt e fundit.
Sipas Vladimir Osechkin, themeluesit të Gulagu.net, një organizatë ruse për të drejta të njeriut, e cila fokusohet në sistemin shtetëror të burgjeve, arsyeja e vetme pse nuk po informohen dhe paguhen familjarët, është se të burgosurit e rekrutuar konsiderohen si të pavlerë.
Yana Gelmel, avokate e Fondacionit për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve, ka thënë se në mesin e faktorëve tjerë për mospagesë është mbushja e pasaktë e formularëve dhe që disa luftëtarë nuk dëshirojnë që familjarët të kuptojnë se do të luftojnë në Ukrainë.
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me shtatë familjarë të ndryshëm që e kanë kontaktuar Votanovskyn.
Ata kanë kërkuar që disa informata rreth identifikimit të ruhen, sepse frikësohen nga masat e autoriteteve ruse.
Në një rast, gruaja e një mercenari të vdekur, ka thënë se ajo nuk e ka pranuar asnjë pagesë që e ka përmendur Prigozhini.
Pavarësisht nënshkrimit të dokumenteve për autorizim, tentimet e saj ligjore për të fituar kompensim janë injoruar dhe ajo ka thënë se ka mësuar për vdekjen e burrit përmes kanalit të Votanovskyt.
Një tjetër grua, burri i së cilës është vrarë nga luftimet për Wagner-in, ka thënë se asaj i është thënë se nuk mund të marrë pjesë në funeral dhe është pyetur nëse mund ta vizitojë varrin dikur në të ardhmen.
Një grua, së cilës i ka vdekur një familjar në Ukrainë – pasi është rekrutuar nga burgu – ka thënë se i ka shkruar Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe burgut ku ka qenë duke qëndruar ai, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.
Në rastet tjera, familjarët kanë thënë se i kanë nisur apele Wagnerit dhe Ministrisë ruse të Mbrojtjes, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje.
‘Mish për top’
Qeveria amerikane vlerëson se rreth 50.000 mercenarë të Wagner-it janë dërguar për të luftuar në Ukrainë, dhe deri më tani rreth 30.000 janë vrarë apo janë plagosur.
Andrei Medvedev, ish-komanadant i Wagner-it në Ukrainë, i cili më vonë ka ikur në Norvegji dhe ka aplikuar për azil politik, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vështirësitë e mosmarrjes së pagesës rezultojnë nga numri i madh i viktimave dhe pamundësia për të mbuluar gjithçka financiarisht.
“[Luftëtarët] janë trajtuar si mish për top”, ka thënë Medvedev.
“Janë shumë trupa dhe nuk ka mjaftueshëm para për të paguar secilin”.
Ish-mercenari ka shtuar se, pavarësisht numrit të madh të familjarëve të lënë në errësirë, Wagner i ka informuar disa familje, me qëllim të mosprishjes së imazhit të kompanisë në Rusi.
Megjithatë, ai ka thënë se secilën e herë e më pak familje do të mund të marrin paratë e premtuara, duke marrë parasysh humbjet e Wagner-it.
Teksa ka qenë duke luftuar me grupin mercenar, Medvedev ka thënë se ka qenë dëshmitar i rasteve kur shumë ushtarë janë varrosur në vendin ku kanë vdekur në luftë, dhe më pas janë regjistruar si të zhdukur.
Në një rast, ai ka thënë se një mik në grupin mercenar është vrarë në front të luftës në Ukrainë dhe familja e tij nuk ka marrë kompensim, sepse trupi i atij burri nuk ka mundur të dërgohet në Rusi.
“S’ka trup, s’ka pagesë. Komandanti menjëherë ka thënë se familja nuk mund të sigurojë të holla, pa e pasur trupin”, ka thënë Medvedev.
“Më është dashur të udhëheq një grup për ta siguruar trupin, ashtu që të mund të dërgohet në shtëpi”./REL
Rruga Press