Vazhdon kapja e mediave nga Vuçiqi, Stojkoviq: Edhe N1 Serbia po transformohet në shërbim të pushtetit
Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka deklaruar se televizioni N1 Serbia po kalon një proces të ngadalshëm transformimi në shërbim të pushtetit, duke e krahasuar situatën me atë që ndodhi më herët me televizionin B92.
Sipas tij, ndryshimet po bëhen me hapa të kujdesshëm, pasi një ndërhyrje e menjëhershme do të shkaktonte reagim të fortë publik dhe protesta.
“Procesi ka nisur dhe është më se i dukshëm,” shkroi Stojkoviq në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, duke paralajmëruar se deri vitin e ardhshëm N1 do të ketë pozitën e njëjtë me B92 – tërësisht nën kontrollin e pushtetit.
“Shënoni fjalët e mia,” shtoi ai.
Stojkoviq e lidh këtë transformim edhe me zhvillimet politike, duke thënë se presidenti Aleksandar Vuçiq synon të shpallë zgjedhje të parakohshme vitin e ardhshëm, pikërisht në kontekstin e “kapjes së mediave”.
Shqetësime për presion politik ndaj mediave të pavarura
Akuza për ndërhyrje politike në mediat e pavarura janë intensifikuar javët e fundit, pas publikimit të një bisede të përgjuar mes Vladimir Luçiq, CEO i Telekom Srbija, dhe Stan Miller, CEO i United Group. Biseda u publikua nga portali hulumtues Raskrikavanje dhe u raportua nga gazeta Danas.
Në këtë bisedë zbuloheshin detaje të një përpjekjeje për të shkarkuar Aleksandra Subotiq, CEO e United Media, kompania që zotëron N1, Nova.rs, Danas dhe Radar – media të njohura për qasjen e tyre kritike ndaj qeverisë.
Ndërkohë, vendimmarrja brenda United Media është marrë nga tre drejtorë të rinj: Vladica Tintor, Timothy Lincoln Pennington dhe Gilbert Marie Schroen, gjë që ka shtuar dyshimet se qeveria serbe po përpiqet të marrë kontroll të plotë mbi kompaninë.
“Kjo është vetëm një fazë e re e shtypjes së mediave”
Gazetarja e KRIK-ut, Vesna Radojeviq, bashkautore e artikullit hetimor “Pas dyerve të mbyllura”, tha për Danas se përpjekjet e Vuçiqit për të shtypur median nuk janë të reja.
“Për vite me radhë kemi qenë dëshmitarë të përpjekjeve për të shtypur gazetarinë e pavarur në Serbi përmes presionit, fushatave të shpifjeve, lodhjes financiare dhe madje edhe vrasjeve të gazetarëve.
Ajo që po shohim sot është vetëm një fazë e re e të njëjtit proces: shkatërrimi sistematik i besimit të qytetarëve te çdo redaksi që guxon të hetojë abuzimet qeveritare,” theksoi ajo.
Megjithatë, Radojeviq shpreh bindjen se qeveria nuk do të mund t’i mbyllë mediat profesionale.
“Ka gazetarë dhe redaksione që kanë mbijetuar kohë më të këqija. Ata nuk punojnë sepse u lejohet, por sepse ndiejnë përgjegjësi ndaj publikut,” shtoi ajo.
Sipas saj, qeveria serbe po përpiqet të diskreditojë profesionin e gazetarisë, sepse gazetaria profesionale përbën kërcënimin më të madh për një sistem që funksionon në bazë të propagandës.
Rruga Press

