Vazhdon diskriminimi i shqiptarëve në Luginë, Komuna e Preshevës: Qytetarëve po u pamundësohet pajisja me dokumente personale
Komuna e Preshevës ka dalë me një reagim pasi sipas praktikave më të reja administrative të Zyrës së Policisë në Preshevë, qytetarëve nuk u mundësohet pajisja me dokumente personale nëse adresa e deklaruar e banimit nuk përmban numër të saktë të shtëpisë.
Në reagimin e komunës thuhet se kjo situatë prek drejtpërdrejt shumë banorë të fshatrave të Komunës së Preshevës, të cilët nuk kanë të caktuar numrin e shtëpisë dhe për pasojë rrezikojnë të mbesin të “padukshëm ligjërisht” dhe pa qasje në të drejtat e tyre elementare.
Lexoni të plotë njoftimin e komunës:
Njoftim për qytetarët e fshatrave të Komunës së Preshevës lidhur me dokumentet personale
Kabineti i Kryetares së Komunës së Preshevës dëshiron të informojë qytetarët, e në veçanti banorët e fshatrave, lidhur me një problematikë serioze që po pamundëson pajisjen me dokumente personale si: letërnjoftimi, pasaporta dhe leja e vozitjes.
Sipas praktikave më të reja administrative të Zyrës së Policisë në Preshevë, qytetarëve nuk u mundësohet pajisja me dokumente personale nëse adresa e deklaruar e banimit nuk përmban numër të saktë të shtëpisë. Kjo situatë prek drejtpërdrejt shumë banorë të fshatrave të Komunës sonë, të cilët nuk kanë të caktuar numrin e shtëpisë, dhe për pasojë po rrezikojnë të mbesin të “padukshëm ligjërisht” dhe pa qasje në të drejtat e tyre elementare.
Me qëllim të adresimit të kësaj çështjeje urgjente, më datë 11 prill 2025, Komuna e Preshevës ka dërguar një kërkesë zyrtare në adresë të Ministrisë për Pushtet Lokal dhe Vetëqeverisje Lokale të Republikës së Serbisë, ku kemi kërkuar:
Udhëzime dhe mbështetje institucionale për mënyrën se si mund të fillojmë zgjidhjen e këtij problemi në nivel lokal;
Dërgimin e procedurave për caktimin e adresave dhe numrave të shtëpive në vendbanimet ku kjo nuk është bërë;
Të shqyrtohet mundësia e një zgjidhjeje kalimtare, në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa dokumente gjatë kohës që ky problem adresohet në mënyrë sistematike.
Deri më tani nuk kemi pranuar një përgjigje zyrtare, mirëpo ne po ndërmarrim hapa të menjëhershëm që të zbusim pasojat e kësaj situate. Shefi i Sektorit të Urbanizmit, z. Ardian Aliu, ka mobilizuar stafin e tij për të përshpejtuar procesin e evidentimit dhe sistemimit të adresave.
Për çdo pyetje, sqarim apo kërkesë, qytetarët mund të drejtohen në emailin zyrtar të Komunës: info@presevo.rs.
Rruga Press