Vazhdohet edhe për 30 ditë gjendja emergjente për furnizim me energji elektrike në Kosovë
Qeveria ka marrë vendim që të zgjatet edhe për 30 ditë gjendja emergjente e furnizimit të energjisë elektrike.
Këtë propozim para kabinetit qeveritar e bëri Mentor Arifaj, zëvendësministër i Ekonomisë, i cili theksoi se gjendja është përmirësuar.
“Aktualisht prodhimi i energjisë është më stabil sesa në fazën fillestare të shpalljes së masave emergjente, mirëpo vjetërsia e stabilimenteve që i kemi në Termocentralin Kosova A dhe Kosova B, përkatësisht mundësia që ato të bien ose të pësojnë defekte në çdo moment, duhet të vazhdojmë ta konsiderojmë si një rrezik të lartë”, tha ai.
Arifaj tha që edhe situata në Ukrainë mund të ndikoj që të ketë rritje të çmimeve të energjisë.
“Situata e krijuar në Ukrainë e shton edhe më tejë pararikueshmërinë e çmimeve të energjisë, në tregun evropian të energjisë dhe kjo mund të reflektoj edhe në Kosovë”, tha ai.
Më 24 dhjetor, Qeveria e Kosovës pati shpallur 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energjinë elektrike.
Rruga Press