Varhelyi, Komisioner i BE-së apo i Viktor Orbanit/ Shitja e ALBtelekomit pjesë e pazarit të Ballkanit të Hapur
Kur komisioneri fliste për parimet, udhëzimet, rregullat dhe projektet e Bashkimit Evropian, ai fliste me NE, si përfaqësues i BE-së, pastaj kur thoshte se projekti Open Balkan dhe liderët pjesëmarrës në të janë brenda parimeve, udhëzimeve, rregullave dhe projekteve të BE-së aty fliste në vetën e parë UNË. Bashkë me tre liderët jo aq të ndritur ballkanik, me prirje autokratike, komisioneri po provonte t’i hidhte publikut hi syve, me ca gjeste prej iluzionisti po gjente fjalët me shumë kujdes që nga BE-ja mos kujtonin se po mbështet Ballkanin e Hapur si komisioner i BE-së, por njëkohësisht, edhe që shqiptarët ta hanin sapunin për djath duke kujtuar se pikërisht BE-ja me gojën e Oliver Varhelyit po e mbështet projektin serb Open Balkan.
Editorial nga Rruga Press
Në mbledhjen e djeshme në kuadër të Ballkanit të Hapur në Shqipëri treshja Vuqiç-Rama-Zaev kishin menduar se çfarë duhet bërë në lidhje me mosbesimin që SHBA dhe BE ka shprehur lidhur me këtë projekt. Nga njëra anë është Procesi i Berlinit, që konsiderohet pjesë e procesit të antarësimit në BE, i cili deri më tani nuk ka pasur përparim në rajon. Nga ana tjetër, është projekti Open Balkan i cili e zëvendëson Procesin e Berlinit dhe nuk është brenda procesit të antarësimit të BE-së. Procesi i Berlinit vinte nga BE-ja, kurse Open Balkan vjen si propozim nga Serbia të cilit i është bashkangjitur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Dyshja autokratike Vuqiç-Rama janë me të drejtë të shqetësuar kur frikësohen se mos ky projekt duket ashtu siç është, projekt që nuk ka lidhje me Bashkimin Evropian dhe nuk e ka mbështetjen e tij. Prandaj kishin menduar që në tryezën e djeshme të merrte pjesë, online, edhe Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi. Halli i madh ishte se si komisioneri hungarez të mbështeste projektin Ballkani i Hapur dhe kjo mbështetje të dukej si mbështetje që vjen në emër të Bashkimit Evropian.
Përpara se të vazhdojmë, le të përmendim disa gjëra që kanë ndodhur disa muaj dhe javë më parë.
Në qershor të këtij viti kryeministri Rama ishte në Hungari, ku takoi kryeministrin hungarez Viktor Orban. Kryeministri i Shqipërisë lajmëroi më vone se ishte arritur një marrëveshje për njohje reciproke të vaksinave (le të kujtojmë se Hungaria dhe Shqipëria u furnizuan masivisht me vaksina ruse), si dhe ishin dakorduar për bashkëpunim në disa fusha, përfshirë bashkëpunimin ekonomik.
Kryeministri hungarez konsiderohet edhe nga vetë brenda BE-së si autokrati më i dalluar brenda shteteve të BE-së, përveç bashkëpunimit të tij me autokratë të tjerë në shtete si Serbia, Maqedonia, Turqia, Rusia dhe Kina. Viktor Orban po shihet çdo herë e më shumë si Kali i Trojes brenda BE-së me politikat e tij që duken të kordinuara me shtetin rus dhe kinez.
Po të njëjtën akuzë ka marrë gjithnjë e më shumë edhe hungarezi Oliver Varhelyi, Komisioneri për Zgjerim në BE.
Politico.eu shprehet se ky komisioner ka injoruar shqetësimet për të drejtat e njeriut dhe shtetit të së drejtës në dobi të axhendës së qeverisë së Orbanit në Hungari dhe se mes vendeve kandidate për në BE ka mbështetur kryesisht Serbinë. Artikulli i politico.eu vazhdon duke thënë se Valhelyi “ka mbyllur sytë para rënies dramatike të standardeve demokratike në Serbi, një vend që është klasifikuar nga Freedom House si ‘pjesërisht i lirë’ nga statusi i mëparshëm ‘i lirë’. Zyrtarë të ndryshëm të Drejtorisë së Zgjerimit, të cituar pa emër nga raporti, ankohen se komisioneri i ka shtyrë ata të mos shohin me vëmendje situatën me qëllim që të nxisin përparimin e anëtarësimit, veçanërisht të Serbisë.”
Për më tepër, Romeo Franz, europalamentar për të Gjelbrit, nga Gjermania mban qëndrimin se Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi po ndjek aq shumë agjendën e shefit të tij Orban sa që edhe “braktisja” që po i bëhet Maqedonisë së Veriut lidhet me faktin se në këtë mënyrë po luftohet kryeministri i RMV-së Zoran Zaev, kundërshtar i ish-kryeministrit të RMV-së Nikolla Gruevski, ky i fundit është i shpallur në kërkim si dhe ka marrë azil pikërisht në Hungari dhe konsiderohet mik i ngushtë i kryeministrit hungarez Viktor Orban.
Thënë shkurt, Viktor Orban po përkrah gjithë autokratët dhe gjysmëautokratët në Ballkan dhe më gjerë, kurse Komisioneri Varhelyi po ndjek këtë axhendë të tij, pavarësisht se nuk është komisioner i këtij të fundit, por i Bashkimit Evropian.
Por a do të mjaftonte thjesht fakti se Rama është autokrat apo gjysmëautokrat që Oliver Varhelyi t’i bënte këtë nder Ramës, ta bënte BE-në të dukej sikur po mbështet projektin serb Open Balkan?
Vetëm në fillim të muajit dhjetor të këtij viti ne e kuptuam se çfarë ishte konkretisht ai bashkëpunimi ekonomik shqiptaro-hungarez për të cilin ishin dakorduar Rama dhe Orbani; ky bashkëpunim kishte qenë paraparë në fushën e Telekomunikacionit dhe Bankave.
Në fillim të muajit dhjetor, grupi hungarez OTP, me seli në Budapest njoftoi arritjen e marrëveshjes për blerjen e Alpha Bank Albania për 55 milionë euro, blerjen nga OTP të 100% të aksioneve të Alpha Bank Albania . Më herët, grupi hungarez OTP kishte hyrë në tregun shqiptar në vitin 2018, me blerjen e filialit shqiptar të grupit francez Societe Generale.
Poashtu, para pak javësh ALBtelecomi, kompania monopol e telefonisë fikse dhe një ndër kompanitë e mëdha të telefonisë mobile është shitur tek kompania hungareze 4iG.
Kjo përputhje kronologjike që fillon nga takimi Rama-Orban dhe deri te shitja e ALBtelekomit dhe Alpha Bank te hungarezët ngre pikëpyetje nëse mbështetja që komisioneri Varhelyi i jep Ballkanit të Hapur lidhet me qëndrimin parimor të Bashkimit Evropian apo me interesa të shtetit hungarez dhe kryeministrit Orban.
Pyetja që po ngrejmë është nëse paraqitja online e Oliver Varhelyit i shërbeu BE-së dhe vendeve të Ballkan perëndimor në përparim të proceseve të integrimit, apo i shërbeu, ashtu siç edhe akuzojnë nga brenda BE-së, pikërisht dashnorit të allishverisheve dhe autokratëve, Viktor Orban.
Dje, Komisionieri për Zgjerim Oliver Varhelyi ishte i pranishëm online, në mbledhjen mes tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të Open Balkan. Varhelyi iu përgjigj pyetjes së Ramës për Open Balkan duke thënë se BE mbështet çdo bashkëpunim rajonal, por ftoi tre shtetet e tjera (Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja Hercegovina) që t’i bashkohen kësaj nisme, pasi sipas tij përfitimi ekonomik i tyre do të ishte shumë i madh.
Gjatë të folurës së tij disa minutëshe ishte interesante të dalloje se Varhelyi po fliste vazhdimisht, me alternim, në dy regjistra dhe në dy vetë, njëherë shumës NE (Bashkimi Evropian), pastaj UNË (Personi privat Oliver Varhelyit).
Më poshtë po sjellim disa momente të të folurës së komisionerit Varhelyi kur ai fliste në vetën e parë:
“Për të qenë I NDERSHËM, KAM QENË gjithmonë I PRIRUR shumë pozitivisht ndaj këtij propozimi… E KONSIDEROJ këtë iniciativë të Ballkanit të Hapur një pasardhëse, apo si të thuash, një zëvendëse deri sa të gjithë të jenë vërdallë rreth tryezës. Ky është një përfundim që UNË e kam nxjerrë qysh prej fillimit që ju të vazhdoni ta nxitni këtë nismë, sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë…Po kështu E ADMIROJ edhe faktin se sa fort e ndjeni këtë nismë, se pikë së pari, ka qenë një nismë që vjen nga Ballkani..prej tri aktorëve që SHOH rreth tryezës sot… MUND TË MË PËRFSHINI SI MBËSHTETËS TË BALLKANIT TË HAPUR.”
Kur komisioneri fliste për parimet, udhëzimet, rregullat dhe projektet e Bashkimit Evropian, ai fliste me NE, si përfaqësues i BE-së, pastaj kur thoshte se projekti Open Balkan dhe liderët pjesëmarrës në të janë brenda parimeve, udhëzimeve, rregullave dhe projekteve të BE-së aty fliste në vetën e parë UNË.
Pra, bashkë me tre liderët jo aq të ndritur ballkanik, me prirje autokratike, komisioneri po provonte t’i hidhte publikut hi syve, me ca gjeste prej iluzionisti po gjente fjalët me shumë kujdes që nga BE-ja mos kujtonin se po mbështet Ballkanin e Hapur si komisioner i BE-së, por njëkohësisht, edhe që shqiptarët ta hanin sapunin për djath duke kujtuar se pikërisht BE-ja me gojën e Oliver Varhelyit po e mbështet projektin serb Open Balkan.
Ajo që pamë dje ishte një mashtrim i ulët për të cilin duhet të reagojë vetë BE-ja, në mënyrë që ta ndalojë ballkanizimin drejt të cilit është nisur ky union, me pretendimin se po synon integrim të plotë të Ballkanit në BE.
©Rruga Press