“Vakt me vezë struci”. Zbulohen në Izrael vezët 4000-vjeçare që hanin nomadët dikur
Nën dunat e rërës në Izrael janë zbuluar vezë struci prehistorike që dikur përdoreshin si ushqim nga nomadët. Vezët 4000 vjeçare të shpendëve të egër janë gjetur në vende arkeologjike nga disa periudha dhe dëshmojnë këtë fakt.
Tetë vezë struci që besohet se janë më shumë se 4000 vjeçare janë gjetur në një kamp parahistorik, të përdorur nga nomadët e shkretëtirës, në Izrael. Gropa e lashtë e zjarrit u zbulua nën dunat e rërës Nitzana të rajonit Negev, tha Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit.
Drejtoresha e gërmimeve Lauren Davis tha se arkeologët zbuluan gjithashtu vegla guri dhe copa qeramike, por vezët ishin “gjetje vërtet e veçantë”.
Strucët e egër ishin të zakonshëm në zonë deri në shekullin e 19-të. Vezët e mëdha të shpendëve janë gjetur në vende arkeologjike nga disa periudha. Ato u përdorën jo vetëm si burim ushqimi, por edhe si enë, sende luksoze të zbukuruara me gdhendje etj.
Është interesante se ndërsa vezët e strucit nuk janë të rralla në gërmime, eshtrat e zogut të madh nuk gjenden”, tha Amir Gorzalczany nga Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit.
“Kjo mund të tregojë se në botën e lashtë, njerëzit shmangnin konsumin e strucit dhe ishin të kënaqur me mbledhjen e vezëve të tyre.”
Afërsia e vezëve me vatrën e zjarrit të zbuluar në zone tregon se ato ishin mbledhur qëllimisht dhe përdoreshin si ushqim.
“Këto kampe u mbuluan shpejt nga dunat dhe u riekspozuan me lëvizjen e rërës gjatë qindra e mijëra viteve,” tha Lauren Davis.
Ky fakt shpjegon ruajtjen e jashtëzakonshme të vezëve, duke na lejuar të hedhim një vështrim në jetën e nomadëve që bredhin shkretëtirën në kohët e lashta.
Rruga Press