Uzina e Gramshit vetëm maja e ajsbergut, vjet ‘turistë’ nga Moska vizituan bazën e Kuçovës
Rasti i Gramshit nuk përbën herën e parë që agjentë rusë, të kamufluar nën petkun e turistëve, përpiqen të sigurojnë pamje nga ish-bazat ushtarake në Shqipëri.
Sipas mediave ndërkombëtare, verën e kaluar, dy shtetas rusë u kapën nga policia jashtë perimetrit të bazës ajrore të Kuçovës.
Ata ishin të pajisur me një avion të vogël të telekomanduar, të cilin do ta përdornin për të filmuar strukturën e bazës, që së fundmi i është dhënë NATO-s.
Sikurse në rastin e së shtunës mbrëma, edhe asokohe të dyshuarit kishin hyrë në Shqipëri si turistë, në bazë të ligjit që u lejojnë shtetasve rusë të lëvizin pa viza për shkak të sezonit veror.
Ndërkohë, në vitin 2016 u përfol për një ndalesë të disa shtetasve rusë pranë ish-bazës së Pashalimanit në Vlorë.
Atëherë shtetasit rusë kishin me vete aparate fotografike të cilët do t’i përdornin për të marrë plane nga baza.
Edhe në atë rast, grupi i vizitorëve u ndalua nga policia, por në mungesë provash për ndonjë aktivitet të paligjshëm u lanë të lirë dhe u dëbuan nga Shqipëria.
Në shkrimet e tyre, edhe mediat ndërkombëtare e vënë theksin tek fakti se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe se prania e rusëve mund të jetë një përpjekje e Kremlinit për të mbledhur informacion mbi bazat ushtarake shqiptare.
Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç, janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Teksa tentuan të futeshin në uzinë ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë.
Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.
Tashmë mbi ta rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.
Rruga Press