KryesoreLajme

Ushtria e Policia parakalojnë për 17-vjetorin e Pavarësisë

Ushtria dhe Policia e Kosovës kanë parakaluar nëpër sheshet e Prishtinës në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Mijëra qytetarë kanë shikuar maratonën ushtarake dhe policore, me pajisje deh automjete luftarake.

Para se të niste parakalimi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se populli i Kosovës ka luftuar dhe sakrifikuar për Pavarësi.

“Në këtë 17-vjetor të shtetit tonë ne jemi këtu sepse qëndruam dhe rezistuam. Ne jemi sot këtu sepse luftuam sepse sakrifikuam sepse nuk u përkulëm kurrë para dhunës, para padrejtësisë dhe mizorive”, është shprehur Osmani.

Ajo ka thënë se “falë ushtrisë dhe policisë që sot parakalojnë arritëm ta mbrojmë edhe çdo pëllëmbë të shtetit tonë”.

Osmani në fjalimin e saj ka përmendur ish-presidentin Ibrahim Rugova si dhe sakrificën e familjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari e të gjithë ushtarëve të UÇK-së.
Gjithashtu ka falënderuar edhe miqtë e Kosovës. 

“Ne nuk harrojmë ndihmën e tyre sepse Kosova ka miq dhe miqtë e Kosovës janë miqtë e lirisë”, është shprehur Osmani.

Lexo më shumë  Haxhiu: 2.5 milionë euro për projektet e organizatave që merren me çështje sociale dhe familjare

Ajo ka thënë se ushtria e Kosovës do të jetë gjithnjë në mbrojtje te paqes dhe sovranitetit.

“Kosova megjithatë nuk është vetëm një copë tokë Kosova është frymë shpirt dhe mision i përhershëm … Kushdo që guxon ta vërë në dyshim këtë realitet le ta dëgjoj zërin e popullit sot. Sot ne të gjithë populli i Kosovës jemi bashkë, populli i Kosovës feston si një, me dhe krenari, pavarësisht dallimeve, sfidave … ne mbesim të bashkuar për atdheun tonë, për Republikën tonë të dashur”, është shprehur Osmani.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se pas vetes shtrihet në të kaluarën historia e gjatë e rezistencës, luftës dhe angazhimit të popullit për të arritur në këtë ditë. 

“Në mes të këtij sheshi jemi ne të zgjedhurit e popullit tonë, mbi themelet e këtij raporti demokratik është ngritur edhe vazhdon të mirëmbahet Republika e Kosovës që nga zgjedhjet e 17 nëntorit 2007 që e nxorën legjislaturën e Kuvendit të Kosovës, e cila e shpalli Pavarësinë më 17 shkurt 2008 si përfaqësues të popullit”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  Kafja do të rritet me 10-30 lekë prej çmimeve të larta të importit

Sipas tij, në historinë moderne të Evropës, krijimi i shtetit të Kosovës është një nga historitë më të fuqishme.

“Republika e Kosovës njëmend është shteti më i ri në kontinentin e vjetër, por ai mund te jetë shteti me përpjekjen më të gjatë të përpjekjes për krijimin e tij. Teksa po e shënojmë 17 vjetorin le t’i kujtojmë të gjitha gratë dhe burrat që luftuan e sakrifikuan për këtë ditë që e gëzojmë sot. Ne jemi popull autokton, që do të thotë se historia nuk na fillon e as na mbaron me asnjërin brez”, ka shtuar Kurti.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës është rezultat i protestave qytetare, demonstratave popullore, i grevave të punëtorëve e të minatorëve, i dhjetëra mijëra të burgosurve politikë që kaluan qindra shekuj nëpër burgje, që nga Adem Demaçi e deri te Ukshin Hoti, i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ndihmuar nga aleatët perëndimor, me në krye SHBA-në.

YouTube player