Ura e Zogut rrezikon të shembet, më në fund nis ndërhyrja për rikonstruktim
Më në fund nis puna për rikonstruksionin e këmbës së urës së Zogut në Milot. Ky proces ka nisur pas insistimit të gjatë të shoqërisë civile dhe organizmave për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Projekti i hartuar nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe financuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka nisur zbatimin në terren.
Mjetet e firmës zbatuese të prjoketit po punojnë për të ndërhyrë tek këmba që rrezikon gjithë konstruktin e urës ndër më të veçantat në të gjithë Ballkanin.
Paraprakisht po punohet për të ngritur shtresën e urës në mënyrë që firma të ketë mundësinë për të riparuar apo ndërtuar nga fillimi këmbën e cila është zhytur në shtratin e lumit. Kjo po bëhet me anë të vendosjes së mekanizmave shtytës të shtresës së urës.
Megjithëse punimet kanë niur, në tabelën e investimit mungon afati i përfundimit të tyre. Ura në fjalë është dëmtuar që nga Janari i vitit 2021. Megjithë apelin e bërë nga institucionet e mbrotjes së monumenteve të kulturës dhe shoqëria civile, ndërhyrja erdhi pas 3 vite e gjysmë.
Ura e Zogut është një kryevepër e inxhinierisë së ndërtimit të fillimit të shekullit të 20-të në Ballkan. “E ndërtuar në vitin 1927 mbi lumin Mat, ura është e njohur për strukturën arkitekturore, gjatësinë dhe stilin e harqeve prej çeliku. Konsiderohet një arritje e rëndësishme në fushën e konstruksioneve metalike dhe strukturave prej betoni të ndërtuara mbi lumenjtë, në Evropën Jugore./BW
Rruga Press