Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane mbështet iniciativën e kryeministrit Kurti për garantimin e kredive
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, dega në Kosovë, përmes një komunikate për media kanë vlerësuar lartë iniciativën e kryeministrit Albin Kurti për garantimin e kredive për pronar të bizneseve nga diaspora që dëshirojnë të Investojnë në Republikën e Kosovës.
Sipas tyre, ky është një veprim i duhur e që pritet të ketë rezultate të dukshme gjatë ditëve në vijim.
Shkelzen Jusaj, kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, dega në Kosovë ka falënderuar kryeministrin Kurti për iniciativën e marrë për garantimin e kredive.
Ai po ashtu, kërkon nga kryeministri për të rishikuar edhe Ligjin për Investime Strategjike, pasi që sipas tij ky ligj, deri më tani, nuk ka arritur të japë rezultatet.
Jusaj thotë se në ligjin aktual duhen përmirësime për të rritur efikasitetin dhe për të tërhequr më shumë investime nga Diaspora.
“Ne propozojmë gjithashtu krijimin e një zone Industriale të dedikuar vetëm për prodhim, ku do të ofrohet infrastruktura e nevojshme për funksionimin e suksesshëm të bizneseve. Në këtë zonë industriale, sugjerojmë që 50% e kapacitetit të jetë e dedikuar për investitorët e diasporës dhe 50% për investitorët vendorë” ka thënë Jusaj, kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane dega në Kosovë.
Ai më tutje sugjeron se për të stimuluar bizneset e reja, propozojmë gjithashtu që bizneset fillestare tregtare të lirohen nga tatimi në fitim për 3 vjet, ndërsa bizneset fillestare prodhuese për 5 vjet.
Këto masa sipas tij do të kontribuonin në krijimin e një ambienti më të favorshëm për zhvillimin dhe rritjen e sektorit privat.
Sipas Jusajt, Unionit i Bizneseve Shqiptaro- Gjermane është i gatshëm të bashkëpunojë dhe të ofrojë kontributin e tij në realizimin e këtyre propozimeve, si dhe është në përgatitje të shumë propozime tjera.
“Ne besojmë se me një qasje të koordinuar dhe mbështetje të qëndrueshme, mund të arrihen rezultate pozitive për ekonominë e Kosovës” ka thënë Jusaj.
Rruga Press