Ukrainasit festojnë çlirimin e Khersonit
Ushtarët ukrainas janë mirëpritur në Kherson nga banorë të gëzuar, pasi Rusia tha se ishte tërhequr plotësisht nga qyteti kyç jugor.
Videoja tregonte vendasit në rrugë, duke mbajtur flamurin kombëtar të Ukrainës dhe duke brohoritur ndërsa trupat e Kievit mbërrinin, raportoi BBC-ja të shtunën.
Disa kënduan këngë patriotike rreth një zjarri të madh kampi deri vonë, natën e së premtes.
Khersoni ishte i vetmi kryeqytet rajonal i marrë nga Rusia pas pushtimit të shkurtit. Tërheqja është parë si një nga pengesat më të mëdha të luftës.
Moska ka bërë të ditur se 30,000 persona janë nxjerrë nga zona – si dhe rreth 5,000 pjesë të pajisjeve ushtarake, armatimit dhe aseteve të tjera.
Shtëpia e Bardhë përshëndeti atë që e quajti një “fitore të jashtëzakonshme”, ndërsa presidenti ukrainas Zelensky e quajti atë një “ditë historike”.
Por ministri i jashtëm i Ukrainës tha se “lufta vazhdon”.
“Ne po i fitojmë betejat në terren. Por lufta vazhdon”, ka thënë Dmytro Kuleba, duke folur në Kamboxhia në margjinat e një samiti të vendeve aziatike.
Një përditësim i mbrëmjes të premten nga pala ukrainase tha se trupat ishin shtyrë deri në bregun perëndimor të lumit Dnipro.
U shfaqën gjithashtu pamje që tregonin se kalimi kryesor i lumit – Ura Antonivsky – ishte shembur pjesërisht. Mbetet e paqartë se si janë shkaktuar dëmet.
Trupat ruse që pushtuan Khersonin mendohet se po zënë pozicione të reja në anën lindore të lumit.
Rruga Press