Ukrainasit bombardojnë një “qendër” tjetër komanduese të rusëve, humbin jetën 100 ushtarë dhe 20 pjesëtarë të FSB-së
Rusia ka humbur edhe një qendër tjetër komanduese nga një sulm me raketa të realizuar nga ushtria ukrainase në Donbas – duke hedhur në erë një objekt të tërë.
Videoja e filmuar nga qyteti i okupuar ukrainas Lysychansk dhe i postuar në Telegram, shfaq momentin kur raketat ukrainase godasin objektin që shërbente si qendër komanduese e rusëve.
Madje ka pamje edhe pas sulmit ku shihet i tërë objekti i rrafshuar dhe flamuri i shqyer i Rusisë, pas hyrjes së forcave ukrainase në atë rajon.
Serhiy Haidai, guvernator rajonal, tha se ushtria ukrainase ka goditur me raketa qendrën komanduese – që dikur e kishte përdorur për të njëjtin qëllim Shërbimi Sekret i Ukrainës.
Kievi pretendon se nga ky sulm raketor, kanë humbur jetën 100 ushtarë rusë – përfshirë 20 pjesëtarë të FSB-së ruse.
Një sulm i ngjashëm mbi një qendër komanduese të rusëve ndodhi një ditë më herët, kur “selia” e ushtrisë private të Vladimir Putinit – Wagner u bombardua nga ukrainasit.
Ishte një fotografi e postuar në rrjetet sociale që i “tradhtoi” pjesëtarët e Wagnerit të presidentit rus. Përmes saj, ukrainasit arritën t’i lokalizojnë dhe më pas t’i bombardojnë.
Rruga Press