Ukraina vlerëson rolin e kancelarit Scholz në samitin e BE
Liderë ukrainas kanë shprehur këto ditë vlerësime për lidershipin gjerman në BE. Roli i kancelarit Scholz në samitin e BE bëri që Ukraina të mos bllokohet nga vetoja hungareze, por të fillojë negociatat me BE.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba shprehu të dielën vlerësim të lartë për iniciativën e kancelarit gjerman Scholz në samitin e BE-së, e cila i mundësoi Kievit të fillonte negociatat e anëtarësimit në BE.
“Ajo që bëri kancelari Olaf Scholz në samit, domethënë eleminimi i kërcënimit të njëvetoje hungareze, do të mbetet në histori si një akt i udhëheqjes gjermane në interes të Evropës,” tha Kuleba për gazetën gjermane Bild am Sonntag.
Një falenderim të madh ndaj Gjermanisë për fillimin e negociatave shprehu natën e së enjtes edhe presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. Mbështetja gjermane për Ukrainën po rritet nga dita në ditë, u shpreh ai. Populli i Ukrainës do ta mbajë mend këtë gjithmonë.
Në takimin e nivelit të lartë të BE, kancelari Scholz i propozoi kreut të qeverisë hungareze Viktor Orban që të largohej nga dhoma për një pushim kafeje, në mënyrë që krerët e mbledhur të shteteve dhe qeverive të mund të votonin pa të për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën. Orbani e ndoqi këtë propozim, dhe në mungesë të tij, përfaqësuesit e 26 vendeve të tjera anëtare morën vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE me Ukrainën.
Iniciativa e kancelarit Scholz e lejoi Orbanin t’i përmbahet qëndrimit të tij për negociatat, pa bllokuar më tej pranimin e Ukrainës.
“Mund të shpresoj vetëm se kjo do të thotë gjithashtu një kthesë më të gjerë dhe e pakthyeshme në qëndrimin e Gjermanisë ndaj përpjekjeve për të zgjidhur problemet më komplekse,” shtoi Kuleba.
Pas samitit, Scholzi vetë foli për një “vendim historik”. Konsensusi nuk kishte rënë nga qielli, tha ai të premten. “Në frymën e një sjelljeje miqësore ndaj BE”, Scholzi tha se Orbanit “unë i thashë, le ta mendojë njëherë. Ai e mendoi dhe më tha pastaj se e pranon propozimin”. Kancelari gjerman tha se ky ishte një veprim vetëm për situata emergjente:”Nuk është diçka që duhet ta bësh gjithmonë.”
Macroni kishte mendim tjetër për meritat
Presidenti francez, Emmanuel Macron duket se kishte mendim tjetër për mënyrën si qe zhvilluar e gjitha. Ai tha se ndryshimi i qëndrimi të Orbanit kishte qenë vepër e të gjithëve. Por sipas gazetës SZ, edhe kryeministri holandez Mark Rutte u shpreh qartë se merita i takonte “Olafit”.
Në intervistën të dielën (17.12.) me gazetën Bild Am Sonntag, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Kuleba theksoi se me vendimin për filllimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën, për herë të parë që nga fillimi i luftës së agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt 2022, “BE nuk priti vendimmarrësit amerikanë, por u dha atyre një shembull që duhet të ndjekin ata”. Kjo dëshmon “se Evropa ka kapacitetin për të marrë një rol udhëheqës dhe se i duhet vetëm më shumë vetëbesim”.
Në Uashington, debatohet prej muajsh për vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Kjo ndihmë është objekt kundërshtimi në radhët e opozitës republikane në Kongres.
Ndihma për Ukrainën ishte gjithashtu një pikë e pazgjidhur mosmarrëveshje në samitin e BE-së të enjten dhe të premten e kaluar. Një samit i posaçëm për ndihmën për Ukrainën do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërsa lejoi, përmes një mungesës së shkurtër në sallë, vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Kievin, Orbani iu përmbajt kundërshtimit të tij ndaj lirimit të fondeve për Ukrainën, që arrijnë në 50 miliardë euro./DW