Ukraina, thirrje Perëndimit për më shumë armë
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i bëri thirrje Perëndimit që ta furnizojë Ukrainën me armë dhe të zbatojë më shumë sanksione kundër Rusisë, me qëllim që të parandalohet, siç tha, përfshirja e vendeve të tjera në një konflikt më të gjerë.
Ukraina u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve të saj që të bëjnë më shumë për ta ndihmuar atë që t’i rezistojë pushtimit rus.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Disa qeveri perëndimore kanë shprehur frikën se një veprim i tillë mund të tërheqë vende të tjera në luftë, përfshirë vendet anëtare të NATO-s.
“Për ata jashtë vendit [Ukrainës] që kanë frikë se mund të tërhiqen në një luftë të tretë botërore… Ukraina po lufton me sukses. Ne kemi nevojë që ju të na ndihmoni të luftojmë. Na i siguroni të gjitha armët e nevojshme”, shkroi Kuleba në Twitter.
“Zbatoni më shumë sanksione kundër Rusisë dhe izolojeni atë plotësisht! Ndihmojeni Ukrainën që ta detyrojë Putinin të dështojë dhe do ta shmangni një luftë më të madhe”, tha Kuleba.
Perëndimi është duke e ndihmuar Ukrainën me armatim dhe financa.
Përkundër thirrjeve të Ukrainës, Perëndimi e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, nga frika se një gjë e tillë do të mund të shkaktonte një luftë të tretë botërore./rel/
Rruga Press