Ukraina sulmon depot e naftës në Rusi
Të shtunën Rusia ka sulmuar kryeqytetin ukrainas me dronë dhe raketa, duke vrarë katër persona, derisa disa industri në Rusi po digjeshin nga goditjet ukrainase, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.
Rusia ka sulmuar me 39 drona “Shahed” dhe lloje të tjera dronësh dhe katër raketa balistike herët në mëngjesin e të shtunës, ka njoftuar Forca Ajrore e Ukrainës. Mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar dy raketa dhe 24 dronë përfshirë edhe 14 dronë simulues që nuk kanë goditur cakun e tyre.
Katër persona kanë vdekur pasi një raketë e rrëzuar ra mbi distriktin Shevchenkivskyi, ka deklaruar kryesori i Administratës Ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko. Pjesë të raketave ka pasur edhe në distriktin Desnyansky.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka deklaruar se në distriktin Shevchenkivskyi, dritaret janë thyer, ka pasur tym në një ndërtesë banimi, dhe dëmtim i ujësjellësit.
Uji përmbyti rrugët derisa zjarrfikësit ndaluan flakët.
Klitscho ka shtuar se edhe stacioni i metrosë Lukyanivska ishte mbyllur pasi sulmet i kanë dëmtuar hyrjen prej xhami.
Prokuroria kryesore në Ukrainë ka njoftuar se ka filluar hetimi në vendin e sulmit. Viktimat e sulmit ishin një rojë restoranti dhe tre persona që po ishin brenda minibusit në rrugë, ka shtuar ai.
Dronët dhe raketat janë rrëzuar nëpër Ukrainë, në rajonet si Potlava, Sumy, Kharkiv, Cherkasy, Chernihiv, Kiev, Khmelnytskyi, Zhytomyr, Kirovohrad, Dnipropetrovsk, Kherson dhe Donetsk.
Në anën tjetër, zonat industriale në rajonet ruse Kalugas dhe Tulas janë sulmuar nga dronët ukrainas, kanë njoftuar zyrtarët lokal të shtunën.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se 46 dronë ukrainas janë rrëzuar gjatë natës së kaluar në të gjithë vendin.
Në rajonin e Kalugas, një goditje me dronë ka filluar një zjarr në qytezën e Lyudinovës, ka shkruar guvernatori Vladislav Shapsha në Telegram. Banorët lokal kanë shkruar në rrjetet sociale se sulmi kishte si cak depot e naftës.
Edhe një zjarr tjetër është raportuar në rajonin e Tulas. Guvernatori Dmitry Milyaev ka njoftuar se një depo nafte është ndezur. Ai ka paralajmëruar banorët të largohen nga vendi i goditjes së dronit. Asnjë viktimë nuk u raportua në të dy rastet.
Rruga Press