Ukraina godet thellë brenda Rusisë – rafineria strategjike e Lukoil në shënjestër
Volgogradi i Rusisë është goditur nga një sulm i madh me dronë gjatë natës mes 17 dhe 18 shtatorit, me raportime për më shumë se një duzinë shpërthimesh pranë rafinerisë së naftës Lukoil-Volgogradneftepererabotka.
Sipas banorëve lokalë, tinguj motorësh dhe shpërthimesh u dëgjuan në pjesën jugore të qytetit, ndërsa zhurma të forta u raportuan edhe në vendbanime të afërta. Telegram-kanali rus Shot shkroi se shpërthimet kanë shkaktuar panik në zonë.
Në aeroportin e Volgogradit u aktivizua plani i sigurisë Kovyor, një procedurë emergjence që zbatohet kur shfaqen objekte të paidentifikuara në qiell. Dy fluturime drejt Moskës u anuluan.
Guvernatori i rajonit, Andrei Bocharov, tha se mbeturinat e dronëve të rrëzuar thyen xhamat dhe dëmtuan çatitë e dy shtëpive në rrethin Krasnoarmeysky. Nuk raportohet për viktima.
Në rrjetet sociale, shumë përdorues sugjeruan se shënjestra kryesore e sulmit ishte pikërisht kompleksi industrial i Lukoil, një kompani që furnizon me karburant forcat ruse.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se mbrojtja ajrore kishte interceptuar dhe shkatërruar 43 dronë ukrainas gjatë natës mbi rajonet Rostov, Volgograd, Kursk, Belgorod dhe mbi Krimenë e pushtuar.
Ky është sulmi më i fundit në një seri goditjesh që Ukraina ka kryer kundër infrastrukturës së energjisë ruse, duke synuar të godasë bazën logjistike të ushtrisë së Moskës.
Rruga Press

