Ukraina çliron një tjetër fshat në frontin lindor: Brigada 141 eliminon 50 ushtarë rusë dhe kap tetë të tjerë rob
Forcat e Brigadës së 141-të të Mekanizuar të Ushtrisë së Ukrainës kanë çliruar fshatin Sichneve në rajonin e Dnipropetrovskut, duke shkaktuar humbje të rënda në radhët e ushtrisë ruse. Sipas njoftimit zyrtar të brigadës, gjatë ofensivës u vranë 50 ushtarë rusë dhe u kapën tetë rob lufte.
Në komunikatën e publikuar nga njësia, thuhet se operacioni u drejtua nga njësia sulmuese “Shkval” (Stuhi), e cila realizoi një operacion të fazuar për çlirimin dhe pastrimin e zonës nga forcat pushtuese. Pamjet e publikuara nga Brigada 141 tregojnë momentet e luftës trup më trup dhe shkatërrimin e pozicioneve ruse me armë të lehta dhe municione precize.
“Këto pamje nuk janë nga një film, por nga luftime të vërteta. Këto janë veprime të suksesshme të njësive tona në Sichneve, të kryera nga luftëtarët e Brigadës së 141-të të Mekanizuar,” thuhet në njoftim.
Pas ofensivës, njësitë e sapoardhura të çminimit dhe mbështetjes kanë vijuar pastrimin e fshatit nga eksplozivët e lënë pas nga trupat ruse.
Brigada deklaroi se ky operacion dëshmon se ushtria ukrainase “nuk po qëndron në vend, por po avancon me vendosmëri për të çliruar çdo pëllëmbë të territorit të saj”.
Sipas grupit analitik DeepState, më 6 shtator rusët kishin arritur përparime të vogla në pyllin Serebrianka në Luhansk dhe pranë Sichneves në Dnipropetrovsk, por operacioni i fundit i forcave ukrainase ka rikthyer kontrollin e plotë mbi zonën.
Rruga Press

