Uji në Tiranë jo i pijshëm sipas gjykatës! Avokat Matlija: Bashkia nuk mori masa. ISHP teston vetëm tre parametra nga 71 që duhet testuar
Avokati Dorian Matlija, ka folur për çështjen gjyqësore me UKT-në për cilësinë e ujit.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, Matlija tha se gjykata vlerësoi si jo të pijshëm ujin pas testimit të kryer nga ISHP, edhe pse ky institucion e kishte testuar për tre parametra nga 71 që duhet testuar.
Matlija shpjegoi se Bashkia nuk mori masa dhe se e ka çuar çështjen në apel.
Dorian Matlija: Gjyqi bëhet fjalë, kundër Ujësjellësit Kanalizimeve Tiranë. Ata furnizojnë me ujë Tiranën dhe sipas rregullave duhet të bëhet analizë nga ISHP. ISHP kishte bërë analiza dhe vijon ti bëjë dhe nxirrte vetëm tre parametra, nga shumë parametra që duhen. Edhe te këto tre nuk i dilte mirë analiza. Dilte bakteri e.coli dhe dy të tretat e kohës me prezencë mbi zero. Dilte edhe streptococcus fecalis. Dilte edhe niveli i klorit mbi normë, çka është i dëmshëm. Kjo matje bëhej në 30 pika të ndryshme. Me zor i shtimë në dorë këto analiza. Edhe sot e kësaj dite që i kërkojmë, hasim në rezistencë. Thonë që nuk duhet ti dijë publiku të dhënat.
Një në katër shqiptarë janë në rrezik varfërie ekstreme, e marrin ujin nga çezma. Bëhet rrezik permanent për shëndetin. Ne e fituam gjyqin, gjykata tha që uji është i papijshëm. Detyroi Ujësjellësin të bëjë analiza për të gjithë parametrat. Pra, të masë edhe bakteret, edhe kimikatet, edhe metalet e rënda. Nuk them që këto ekzistojnë apo jo, por ne nuk kemi garanci sepse këto nuk maten. Edhe laboratorët nuk ishin të akredituar. Jemi në situatë të tmerrshme.
Ylli Rakipi: Mori masa Bashkia?
Dorian Matlija: Bashkia nuk i ka marrë akoma masat. E kane çuar gjyqin në gjykatën e Apelit. Në një gjykatë që nuk ka takat ta bëjë shpejtë. Pra ata nuk duan që publiku të njoftohet.
Sokol Abazi: Vetëm këtë ditë UKT ka filluar të bëjë analizat në përputhje me VKM-në. Edhe ne u çuditëm, pasi është injoruar prej kohësh ajo VKM. Ministritë përgjegjëse janë ajo e Shëndetësisë dhe Bujqësisë. Ajo VKM është e detyrueshme dhe 71 parametrat duhet të bëhen.
Granit Sokolaj: A ka kapacitete laboratorike për ti bërë?
Sokol Abazi: Po ka. Kemi kapacitet shumë herë më të madh. Për çudinë tonë, atë tender e ka fituar një laborator pa asnjë kapacitet.
Dorian Matlija: Ne do ta ndjekim deri në fund.
Sokol Abazi: Ju thatë nuk e pijmë, por me atë gatuajmë, lajmë dhmbët, njësoj e konsumojmë. Duhet shumë kujdes me ujin, duhet të monitorohet. Mund të jetë shumë i mirë, por pa parë një certifikatë të plotë…
Rruga Press