Lajme

UEFA-s i kërkohet ta përjashtojë kundërshtaren e Kosovës, Bjellorusinë

Më shumë se 100 deputetë të Parlamentit Evropian kanë nënshkruar një letër që ia kanë dërguar presidentit të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), Aleksander Ceferin, duke i kërkuar që ekipi i kombëtares së Bjellorusisë të përjashtohet nga garat e kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit, që mbahet më 2024.

Eurodeputetët argumentuan se Bjellorusia, jo vetëm që mbështet, por aktivisht merr pjesë në agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. Në letër u tha po ashtu se futbolli dhe sporti në përgjithësi janë përdorur nga lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, për përhapjen e propagandës politike.

Sipas ligjvënësve evropianë, pjesëmarrja në garat e UEFA-s e kombëtares bjelloruse do të përdoret më vonë nga Lukashenka për propagandë, për të “dëshmuar se po pranohet mirë nga bashkësia ndërkombëtare”. Deputetët pohuan se lejimi i pjesëmarrjes së Bjellorusisë në këto gara është ofendim i viktimave të agresionit rus në Ukrainë, por edhe për shumë luftëtarë të të drejtave të njeriut në Bjellorusi.

Lexo më shumë  SHBA, Blinken uron 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Po ashtu, ka pasur thirrje që Bjellorusisë t’i ndalohet pjesëmarrja në garat ndërkombëtare të futbollit, ashtu siç i është ndaluar Rusisë. Por, UEFA deri më tani u ka rezistuar thirrjeve të tilla, duke nënvizuar se në një masë Bjellorusia është sanksionuar duke ia pamundësuar që të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare në territorin e saj.

Ndalimi eventual i pjesëmarrjes së Bjellorusisë në kualifikimet për EURO 2024, që do të mbahet në Gjermani, do të kishte efekt edhe te përfaqësuesja e Kosovës, e cila gjendet në të njëjtin grup të kualifikimeve. Në grup, përveç Kosovës dhe Bjellorusisë, janë edhe Zvicra, Rumania, Izraeli dhe Andorra. Ndeshjet për kualifikime nisin javën e ardhshme.

Lexo më shumë  Rikonstruksioni i komisariateve/ SPAK çon në gjykatë një tjetër deputet të Ramës, Plarent Ndrecën

Për shkak të pamundësisë që të zhvillojë ndeshje në fushën e vet, Bjellorusia ka zgjedhur që disa ndeshje kualifikuese t’i zhvillojë në Serbi.

Ndryshe, Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur sulmet. Megjithatë, Minsku mohon se është palë në konflikt.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *