Opinion/Aktualitet

Turqia do të jetë vërtet e lirë vetëm pa Erdoganin në krye

Nga Enver Robelli

Këtë fundjavë Turqia gjendet para zgjedhjeve më të rëndësishme presidenciale dhe parlamentare të dekadave të fundit. Rizgjedhja e presidentit autokratik Rexhep Taip Erdogan mund ta polarizojë edhe më shumë Turqinë dhe të ngushtojë edhe më shumë liritë civile e demokratike. Fitorja e opozitës është shans për kthimin e Turqisë në binarët e normalitetit. Kryeministri i Shqipërisë me një mesazh banal ka vendosur të pozicionohet në anën e Erdoganit dhe rrjedhimisht edhe në anën e shkelësve të të drejtave të njeriut

Autokratët e Ballkanit do të shikojnë të dielën me shqetësim ndaj Turqisë ku për herë të parë ekzistojnë gjasa që presidenti Rexhep Taip Erdogan të dëbohet nga pushteti me votën e lirë të qytetarëve. Në prag të zgjedhjeve kryeministri i Shqipërisë u ngut të publikojë një mesazh përkrahjeje për Erdoganin, duke lavdëruar eksperiencën e presidentit turk. Ky lloj mesazhi, i paketuar me shumë fjalë boshe, është një demonstrim i solidaritetit mes autokratëve.

Për çfarë eksperience fliste kryeministri i Shqipërisë kur e përshkruante Erdoganin? Eksperienca e Erdoganit, veçanërisht në vitet e fundit, mund të përmblidhet kështu: pezullim faktik i parlamentit dhe përqendrim i pushtetit në duart e një njeriu, pra të Erdoganit. Futje nën kontroll të pothuaj të gjitha mediave. Kontroll i rreptë i institucioneve të pavarura (për dy vjet Erdogani largoi nga posti tre guvernatorë të Bankës Kombëtare) dhe e bëri ministër të Ekonomisë dhëndrin e tij, kualifikimi kryesor i të cilit për këtë detyrë të rëndësishme ishte se është i martuar me vajzën e Erdoganit.

Burgosje masive e kritikëve është vepër e shëmtuar e qeverisë së Erdoganit. Proceset e montuara gjyqësore ndaj kundërshtarëve politikë si Selahatin Demirtash dhe Osman Kavalla janë gjest i turpshëm dhe i frikshëm. Ata vazhdojnë të dergjen në burgje për shkak të motiveve hakmarrëse të Erdoganit. Të parit i frikësohet për shkak se si politikan kurd ai ishte mjaft i popullarizuar edhe te një pjesë e popullatës urbane turke, të dytin e urren për shkak se angazhohet për një Turqi tolerante ndaj pakicave dhe një shoqëri ku e drejta e mendimit të lirë dhe sundimi i ligjit konsiderohen të paprekshme.

Janë me qindra qytetare e qytetarë turq që janë arrestuar vetëm për shkak se kanë shprehur mendimin e tyre kritik ndaj Erdoganit. Drejtësia e dirigjuar prej partisë së tij AKP është treguar e zellshme në frikësimin e zërave opozitarë. Gazetari prominent Bülent Mumay u dënua këto ditë me 20 muaj burg me kusht vetëm pse kishte raportuar mbi një firmë ndërtimore të afërt me pushtetin, e cila kishte sekuestruar një kredi që ia kishte dhënë qyteti i Stambollit. Kryeredaktori prominent Can Dündar ka ikur në Gjermani për të shpëtuar nga dënimet me burg kundër tij në Turqi. Shumë turq në ekzil në prag të zgjedhjeve janë të bindur se epilogu i zgjedhjeve “do të vendosë nëse unë do të blej një biletë për t’u kthyer në Turqi ose do të kërkoj një vend ku do varrosem në Berlin”. Në një artikull të botuar në numrin e fundit të revistës gjermane “Der Spiegel” Can Dündar përkujton se shumë turq prominentë kanë vdekur në ekzil për shkak të përndjekjes nga shteti i tyre. Nazim Hikmeti, njëri nga poetët më të mirë të Turqisë, vdiq në ekzil (në Moskë), siç vdiqën edhe regjisori Yilmaz Güney dhe këngëtari Ahmet Kaya (të dy në Paris).

Lexo më shumë  𝐊𝐮𝐫 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚 𝐟𝐥𝐞𝐭 𝐦𝐞 𝐠𝐣𝐮𝐡𝐞̈𝐧 𝐞 𝐚𝐫𝐦𝐢𝐤𝐮𝐭: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐚𝐥𝐞𝐚𝐧𝐜𝐞̈ 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐳𝐢𝐤𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐧

Pas më shumë se 20 vjetësh qëndrimi në pushtet, për herë të parë, këtë të diele, Erdogani mund t’i humbë zgjedhjet. Anketat tregojnë për një garë kokë më kokë. Shpesh në anketa opozita është në epërsi të lehtë. Erdogani duket i shqetësuar, andaj edhe i është kthyer gjuhës agresive, duke i quajtur oponentët e tij mashtrues, pijanecë dhe homoseksualë. “E dimë se zoti Kemal është LGBT”, tha Erdogan duke iu referuar Kemal Kiliçdaroglu nga partia socialdemokrate CHP. Kiliçdaroglu kandidon për postin e presidentit. Erdogan po përpiqet të mobilizojë kundër tij edhe fanatikët fetarë, të cilët Kiliçdaroglunë e përbuzin sepse është alevit, pjesëtar i një pakice fetare që numëron rreth 25 milionë njerëz në Turqi. Kiliçdaroglu nuk është përgjigjur ndaj polemikave bajate të Erdoganit, por ka goditur me fakte, për shembull duke thënë se Erdogani i ka 16 avionë personalë, të cilët “do t’i shesim menjëherë”. Erdogan jeton në një pallat me qindra dhoma.

Nga një politikan që me vite i ka fituar zgjedhjet duke treguar afërsi ndaj njerëzve të thjeshtë, Erdogan është shndërruar në sundimtar me ambicie sulltaneske. Kriza ekonomike që ka përfshirë Turqinë dhe ka ngritur shqetësime të mëdha te shtresa e mesme turke tregon mjaft për eksperiencën qeverisëse të Erdoganit. Sidomos të rinjtë, të cilët nuk njohin president tjetër përveç Erdoganit, nuk janë të gatshëm t’i falin besim një politikani që i fut në burg njerëzit për një tweet. Të rinjtë mes moshës 18 deri 25 vjeç përbëjnë 12 për qind të trupit elektoral. Prej tyre vetëm 18 për qind duan të votojnë për partinë e Erdoganit. Kjo gjeneratë është rritur me mediat sociale dhe propaganda e mediave të Erdoganit nuk ka efekt te ta. Erdogan ka bërë përpjekje për të krijuar një shtresë të re konservatore. Pjesërisht ia ka dalë, sidomos në provincë. Edhe ndërprerja e diskriminimit të grave që bartin shami në jetën publike ka qenë një vendim i duhur i Erdoganit, por sipas një ankete të institutit të njohur turk Konda të realizuar më vitin 2018, më 2008 – 55 për qind e të anketuarve deklaroheshin si fetarë, ndërsa 10 vjet më vonë vetëm 51 për qind. Edhe numri i grave që bartin shami ka rënë gjatë sundimit të Erdoganit. Sipas një ankete të institutit Konda, 58 për qind e grave të moshës së re nuk bartin shami. Para një dekade 50 për qind e grave nuk mbuloheshin. Pra, brenda një dekade në Turqi është rritur numri i grave që nuk bartin shami. Shaminë turban, e cila mbulon krejt flokët, e bartin vetëm 6 për qind e grave, në vitin 2008 ishin 16 për qind. Një anketë e Universitetit Hacettepe të Ankarasë (e publikuar më 2021) tregoi se 63 për qind e të rinjve turq mes moshës 15 dhe 24 vjeç nuk e shohin si pozitive të ardhmen e Turqisë. 72 për qind madje duan të ikin nga Turqia sikur të kishin mundësi. 63 për qind e të rinjve të anketuar nuk janë të kënaqur me punën e qeverisë. Vetëm 17 për qind u besojnë autoriteteve fetare. Vetëm 19 për qind i besojnë sistemit presidencial të Erdoganit. Mediave shtetërore (të kontrolluara nga qeveria) u besojnë vetëm 7 për qind e të rinjve. 70 për qind i besojnë shkencës. 98 për qind përdorin mediat sociale, kryesisht si burim informimi. Vetëm 30 për qind e të rinjve thonë se janë shumë besimtarë. 57 për qind thonë se besojnë në zot, por nuk janë fetarë.

Lexo më shumë  Një idiotizëm i ri politik: "grusht shteti" i qeverisë kundër opozitës

Rezultati i politikave konservatore të presidentit Rexhep Taip Erdoan është ky: gjithnjë e më shumë gra refuzojnë shaminë, të rinjtë (gra e burra) duan të emigrojnë, kryesisht në Perëndim. Në Jemen, në Afganistan, në Arabinë Saudite nuk dëshiron të emigrojë pothuaj asnjë turk. Të rinjtë më shumë i besojnë Ataturkut të vdekur se Erdoganit të gjallë.

Turqia do të jetë vërtet e lirë vetëm pa Erdoganin në krye. Fakti që me një lider të tillë të Turqisë solidarizohen politikanë si kryeministri i Shqipërisë, tregon se autokratët e Ballkanit i kanë hedhur vlerat perëndimore në koshin e plehrave dhe të inspiruar nga Erdogani ata qëmoti shohin ëndrra me pallate me 1000 dhoma. Sa më gjatë që qeverisin politikanë të tillë, aq më fatale do të jetë për shoqëritë përkatëse. Nëse turqit dhe turket të dielën (ose dy javë më vonë) e heqin nga pushteti Erdoganin, ka shpresë edhe në vende të tjera të cilat vuajnë nga autokratët e korruptuar. Revista britanike “The Economist” ka plotësisht të drejtë kur në fund të një komenti shkruan: “We warmly endorse Kemal Kiliçdaroglu as the next president of Turkey”. Përkthimi i kësaj fjalie nuk është i domosdoshëm!/Koha.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *