Turp kombëtar: në Tiranë po zihen për mustaqet e Çelos kur Serbia njofton ndërhyrjen ushtarake në Kosovë
Nga Shaban Murati
Shënim nga blloku diplomatik
Qeveria e presidentit serb Vuçiç njoftoi në 8 dhjetor se po bëhet gati të ndërhyjë ushtarakisht me 1000 forca speciale serbe në Veriun e Kosovës. Në 8 dhjetor në mbrëmje vonë, ministri serb “guvernator i Kosovës”, Petar Petkoviç, zhvilloi një konferencë të jashtëzakonëshme shtypi për të njoftuar se qeveria ka përgatitur ndërhyrjen e 1000 forcave speciale serbe në Kosovë.
Presidenti serb Vuçiç njoftoi në 9 dhjetor në mëngjes se ai ka fjetur mbrëmë gjithë natën bashkë me ministrin e mbrojtjes dhe me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe lidhur me këtë ndërhyrje te re ushtarake të Serbisë në Kosovë. Në 9 dhjetor histeria serbe e luftës kulmoi me deklaratën e kryeministres serbe Ana Bernabiç, e cila shpalli se “vendi ndodhet në prag të luftës”.
Që nga shtatori i vitit 2021 kjo është hera e katërt, që presidenti serb kërcënon Kosovën me ndërhyrje ushtarake dhe me luftë. Por është hera e parë që Beogradi njofton se do të dërgojë një mijë forca speciale për të pushtuar Veriun e Kosovës. Presidenti serb dhe qeveria serbe si justifikim të ndërhyrjes së tyre të re ushtarake po tundin flamurin e reckosur të rezolutës së vdekur 1244 të OKB, të cilën e ka çvleftësuar zyrtarisht dhe juridikisht vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, që dha verdiktin e ligjëshmërisë së pavarësisë së Kosovës në korrik të vitit 2010.
Provokacioni i ri dhe i serioz ushtarak i Serbisë ka miratimin dhe nxitjen e gjithanëshme ushtarake dhe subversive të Rusisë. Moska, e ndodhur në një krizë ushtarake, ekonomike dhe morale për shkak të agresionit të saj kriminal në Ukrainë, dhe në funksion të strategjisë së saj për të provokuar ushtarakisht NATO-n dhe Perëndimin, po shtyn Serbinë të shpërthejë një vatër të re lufte në Kosovë, në qendër të Ballkanit.
Nuk është rastësi që në datën 9 dhjetor i gjithë rrjeti gjigand i mediave ruse për brenda dhe për jashtë vendit shpërthyen në një eufori të jashtëzakonëshme mirëseardhje për luftën e re, që po nisin 1000 forcat speciale serbe në Kosovë. Rusia po nxit Serbinë të zbatojë modelin ushtarak rus në Donbas.
Serbia njoftoi se po çon forcat speciale për ndërhyrje ushtarake në Kosovë, duke dhunuar arbitrarisht integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës. Pra, duke dhunuar intgritetin dhe sovranitetin e kombit sbqiptar.
Ndërkaq në Tiranë nuk e ndjejnë fare ushtimën e agresionit serb dhe të kërcënimit të luftës së re serbe në Kosovë. Për turpin e tyre, as qeveria dhe as opozita nuk po përpiqen të zgjojnë popullin shqiptar për alarmin e ri kombëtar të ndërhyrjes së re ushtarake serbe në Kosovë. Qeveria dhe opozita në Tiranë po merren me mustaqet e Çelos, sepse mustaqet e Çelos i interesojnë Serbisë.
Serbia dëshiron një popull dhe një komb shqiptar të fjetur, që ta gjejë në gjumë dhe ta pushtojë në gjumë. Qeveria dhe opozita në Tiranë me sa duket po presin që Borrellët dhe Lajçakët e BE t’u bëjnë thirrje “të dy palëve për vetëpërmbajtje”.
Si diplomat i vjetër e ndjej për detyrë të paralajmëroj popullin tim në Shqipëri dhe në Kosovë se lidhur me Kosovën Perendimi nuk është më as ai i vitit 1999 dhe as ai i vitit 2008./DITA
Rruga Press