Turistët e huaj vizitojnë bukuritë natyrore të ujëvarës së Bogovës
Ujëvara e Bogovës në Parkun Kombëtar të Tomorit në Shqipëri në qytetin e Skraparit, vitet e fundit po tërheq turistët vendas e të huaj, të cilët shijojnë nga afër këtë bukuri natyrore.
Administrata e Zonave të Mbrojtura, ndau momente nga vizita e turistëve të huaj në këtë ujëvarë, që është oazë freskie në këto ditë me temperatura të larta.
“Turistë të huaj tek Ujëvara e Bogovës. Megjithëse në këtë periudhë ka pak ujë, përsëri bukuria qëndron, qetësia dhe freskia është e pranishme, duke të ofruar një oazë në këto ditë me temperatura të larta”, shprehet ADZM.
Ujëvara e Bogovës, është monument natyror dhe një nga më të bukurat në vend që vizitohet nga mijëra turistë gjatë të gjitha stinëve.
Ujëvara është e lartë 20 metra bie në një pishinë të kaltër e të thellë 12 metra. Ujërat e kristalta, zhurma tunduese e ujëvarës që bie pareshtur nga shpatet, e gjelbërimi që e rrethon, si dhe prania e akullit e bëjnë atë të jashtëzakonshme dhe ndjellëse për turistët.
Ujëvara e Bogovës është një magnet për të gjithë vizitorët e Malit të Tomorit, një ndalesë ku në verë shuajnë nxehtësinë në ujërat e ftohta dhe në dimër mahniten nga bukuritë që të ofron prania e akullit.
Rruga Press