KryesoreLajme

Turistët braktisin Shqipërinë/ Bien importet e mallrave të akcizës në dymujor

Përveç cigareve, importet e mallrave të tjera të akcizës kanë shënuar rënie në dy muajt e parë të vitit 2026 referojnë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave.

Pas një rritjeje të fortë përgjatë vitit 2025, tregu ka pësuar goditje në volum, veçanërisht në sektorin e pijeve dhe lëndëve djegëse.

Goditjen më të rëndë e ka marrë importi i birrës, i cili ka rënë me mbi 20% krahasuar me fillimin e vitit të kaluar, duke reflektuar një rënie të kërkesës me rreth 1.2 milionë litra më pak. E njëjta tendencë negative vërehet edhe te kafeja, ku importet janë tkurrur me rreth 8%, duke zbritur në nivelin e 1,142 tonëve për periudhën janar-shkurt 2026.

Rënia i dedikohet kryesisht një aktiviteti më të plogësht ekonomik prej mungesës së turistëve. Të dhënat zyrtare referojnë se numri i vizitorëve ka qenë gati 2 për qind më i ulët në janar, teksa popullsia e rezidente është në tkurrje nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve.

Lexo më shumë  Kamberi: Stërvitjet e ushtrisë serbe e cenojnë ndjenjën e sigurisë te shqiptarët në Luginë

Janari nis keq për turizmin, hyrjet e të huajve në rënie për herë të parë që nga pandemia

Duke qenë se kafeja është një produkt që konsumohet masivisht nëpër bare, tkurrja e popullsisë veçanërisht të rinjve dhe rënia e turistëve ndikon drejtpërdrejt në volumin e importit.

Gjithashtu konsumi i karburanteve të importuara ka pësuar një rënie prej 4.19%, një shifër kjo që sinjalizon ngadalësimin e aktivitetit ekonomik dhe qarkullimit në vend. Kjo rënie që ishte më e fortë në janar se në shkurt kur nisi lufta në Iran lidhet me një kërkesë më të dobët se viti i kaluar nga sektori i turizmit.

Ndryshe nga mallrat e tjerë, kategoria e cigareve ka shënuar një rritje befasuese prej mbi 20%. Ky devijim nga trendi i përgjithshëm rënës i akcizës sugjeron një orientim të ndryshëm të konsumit ose ulje të kontrabandës në këtë zë.

Lexo më shumë  Kryetarja Haxhiu takon ambasadorin austriak. Theksi te partneriteti Kosovë-Austri

Në përgjithësi panorama e fillimvitit mbetet e vështirë për të ardhurat buxhetoret, duke pasur parasysh se tre mallrat kryesor të akcizës janë në rënie.

Rritja e çmimeve të naftës dhe efektet zinxhir të saj mund të ngadalësojnë më tej importet e këtyre mallrave. Por nëse çmimet do të vijnë në rritje të ardhurat buxhetore sërish do favorizohen nga rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, por kostot do të rëndojnë mbi konsumatorët.

Në mungesë të turistëve ekonomia shqiptare do ta ketë shumë të vështirë të gjejë burimet e rritjes në këtë vit./MONITOR

Rruga Press

YouTube player