Trumpi tani i zotëron të gjitha
Nga Thomas B. EDSALLI për New York Times, përkthyer në shqip nga Agim Morina
Z. Edsalli shkruan një rubrikë javore nga Uashingtoni, DC, mbi politikën, demografinë dhe pabarazinë.
Duke përfitu nga dobësia e demokratëve, Presidenti Trump po e fiton betejën e tij për me minu demokracinë në këtë vend.
Por ai nuk e ka fitu luftën.
Një mori faktorësh mund ta zbehin agresionin e tij: recesioni, borxhi, korrupcioni, inflacioni, epidemitë, dosjet Epstein, zemërimi për shkurtimet në Medicaid dhe triskat ushqimore, me i zënë në gojë vetëm disa. Shumë nga ato që ka bë Trumpi mund të zhbëhen nëse një demokrat zgjidhet president në vitin 2028.
Por për punonjësit federalë, hulumtuesit mjekësorë dhe shkencorë, avokatët në firma politikisht aktive, kritikë të shquar të Trumpit – mijëra prej të cilëve kanë ndjerë dhembjen e shkarkimeve arbitrare, të pagave të zhdukura e të granteve të tërhequra, të hetimeve penale dhe të falimentimeve të kërcënuara – zgjedhjet e vitit 2028 mund të jenë shumë vonë për me riparu dëmin.
Dhe gjithë kjo, para se të fillojmë të flasim për masat e ashpra kundër emigracionit.
Sulmet e Trumpit synojnë objektiva të mëdhej dhe të vogjël, disa të bazuara në pakënaqësi personale, të tjera të udhëhequra nga një agjendë ideologjike më koherente.
Brutaliteti i politikave antidemokratike të Trumpit është pjesë e një qëllimi më të madh, një pasqyrim i një administrate të vendosur për me transferu triliona dollarë te të pasurit duke imponu kosto të mëdha mbi të varfrit dhe klasën punëtore që kanë humbë qasjen në kujdesin mjekësor dhe në përkrahjen me ushqim, një administratë që i trajton fëmijët e uritur me të njëjtën përbuzje që i trajton parimet themelore të demokracisë.
Trumpi ka pasë sukses në mbrojtjen shkatërruese të procesit të rregullt ligjor për universitetet, për emigrantët dhe për firmat e avokatisë. Ai e ka frikësuar Gjykatën Supreme, e cila kryesisht nuk ia ka dalë me i blloku shkeljet e Kushtetutës nga ana e tij. E ka anashkaluar Kongresin, duke vendosë me urdhra ekzekutivë dhe me shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Po e përdor fuqinë rregullatore të qeverisë për me detyru median të bëjë lëshime poshtëruese. Ka urdhëru hetime penale të kundërshtarëve politikë. Ka shkarku nga puna punonjës të panumërt qeveritarë që kanë ndjekë hetime të kaluara – e kështu me radhë.
Ka lëvizë me vendosmëri drejt destabilizimit të demokracisë amerikane.
“Institucionet tona nuk po veprojnë në atë mënyrë që lë të kuptohet se demokracia amerikane është nën kërcënim”, pohoi në një email Donald Moynihani, profesor i politikave publike në Universitetin e Miçiganit. Moynihani shkroi se u bë rutinë, që Trumpi të shkarkojë njerëz në agjenci të pavarura ose nëpunës civilë, ose të sekuestrojë fonde dhe madje të mbyllë agjenci. Të gjitha këto gjëra u pranuan gjerësisht si të paligjshme, në fakt. Derisa gjykatat nuk po marrin vendime përfundimtare mbi kompetenca të tilla, ato po i lejojnë Trumpit t’i ushtrojë ato. Ndoshta Trumpit do t’ia presin krahët më vonë, por në ndërkohë do të shkaktohen dëme të mëdha dhe zhbërja e këtij dëmi do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Për shembull, mbyllja e USAID-it pa veprim të Kongresit është e paligjshme, por po ndodh dhe si rezultat me miliona njerëz do të vdesin.
Shumë demokratë dhe liberalë po mbështeten në forcat ekonomike për me shty Trumpin të tërhiqet, por administrata nuk po e paguan çmimin që shumë veta në të majtën dhe në qendër pritnin të shfaqen në përgjigje të tarifave të tij dhe të zgjerimit të madh të borxhit kombëtar që rezulton nga “projektligji i tij i madh dhe i bukur”.
Në vend të kësaj, ekonomia mbetet e fortë: Papunësia është në 4.1 përqind; tregu i aksioneve ka arrijtë nivele rekorde; inflacioni u rrit me një shifër modeste prej 0.1 përqind nga prilli në maj, për një normë vjetore prej 2.4 përqind.
«Jam i shqetësuar ngaqë Trumpi duket se po e lodh opozitën», shkroi Brendan Nyhani, një shkencëtar politik në Dartmëth, me email në përgjigje të pyetjeve të mia në lidhje me sukseset dhe dështimet e Trumpit. «Pozicioni i tij politik është objektivisht më i dobët – ai është një njeri i dobët që është më jopopullor sesa që ishte në këtë pikë të mandatit të tij të parë – por ai po i përdor fuqitë e presidencës në mënyrë më efektive në ndjekjen e qëllimeve të tija autoritare».
Trump, argumentoi Nyhani,
po i shtyn kufijtë e fuqive të tij institucionale në mënyra që kanë më pak gjasa të katalizojnë opozitën, veçanërisht derisa ata të familjarizohen më shumë. Jam më i shqetësuar për drejtimin e Gjykatës Supreme. Gjykatat më të ulëta i kanë bë ballë mirë sfidimit të administratës, por vendimi mbarëkombëtar për ndalimin e urdhëresës së prerë të gjykatës (ndër të tjera) tregon që Gjykata Supreme po bëhet një faktor vendimtar që e mundëson këtë.
Nyhani është një nga katër drejtorët e raportit Bright Line Watch, i cili ndjek përkrahjen për demokracinë duke përdorë anketa të 760 shkencëtarëve politikë, si dhe të 2,000 votuesve. Raporti më i fundit, “Kërcënime për Demokracinë dhe Lirinë Akademike Pas 100 Ditëve të Dyta të Trump”, bazohet në të dhënat e mbledhura në fund të prillit 2025. Ai nxori në dritë se nga fundi i vitit 2024 deri në prill 2025, “vlerësimet e përgjithshme të demokracisë amerikane ranë ndjeshëm midis çdo grupi të anketuar – ekspertëve akademikë, publikut në përgjithësi dhe anëtarëve republikanë dhe demokratë të publikut”.
Nga shtatori 2024, dy muaj para zgjedhjeve, deri në prill 2025, me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë për tre muaj, sondazhet e Bright Line treguan një rënie prej tetë pikësh në një shkallë 100-pikëshe, nga 57 në 49, në vlerësimet publike për demokracinë në Shtetet e Bashkuara dhe një rënie prej 17 pikësh, nga 70 në 53, midis shkencëtarëve politikë.
Në vend të autoritarizmit, Theda Skocpoli, profesoreshë e qeverisjes dhe sociologjisë në Harvard, ka shpikur dy fraza për të përshkruar axhendën e Trumpit:
Qëllimi i menjëhershëm i Trumpit përshkruhet më mirë si krijimi i një sistemi qeverisës që unë e quaj servilizëm konkurrues, ku të gjitha qendrat e pushtetit brenda dhe përtej qeverisë federale drejtohen nga grupe konkurruese njerëzish që konkurrojnë për m’e lajkatu atë dhe për me i manipulu burimet dhe rregullat në avantazhin e tij personal dhe familjar. Ata bëjnë veprime ekstreme njërën pas tjetrës, përpiqen të tejkalojnë njëri-tjetrin, dhe ai zgjedh se kë të mbështesë, me ndryshime, kaos dhe paparashikueshmëri javë pas jave.
Korrupsioni patrimonial është i vetmi rezultat përfundimtar, së bashku me joefikasitetin dhe paaftësinë e plotë në detyrat kyçe institucionale dhe publike.
Trumpi, sipas vlerësimit të Skocpolit, deri më tani ka qenë i suksesshëm:
Falë servilizmit të Partisë Republikane dhe shumicës së institucioneve amerikane të drejtuara nga elita, ai tashmë e ka vendosë këtë sistem në vend. Një pjesë e tij që është një rrugë e mundshme drejt autoritarizmit të pastër shtrëngues është ushtria e re private e përqendruar te ICE, e drejtuar pa kufizime nga Stephen Milleri – dhe do të ketë përpjekje të vazhdueshme për m’e shndërru atë në një kërcënim centralizues dhe tmerrues kundër gjithë opozitës politike.
Por, Skocpoli pohoi se “nuk kemi arrijtë ende aty”:
Duhet të ndalemi së shpalluri se sa i zgjuar dhe fitimtar ka rezultuar të jetë Trumpi. Çështja e vërtetë është se sa joefektive dhe oportuniste po dëshmohen elitat amerikane në përgjithësi, çdo sektor dhe institucion që përpiqet të mbrojë interesat e veta të ngushta, në dëm të çdo interesi afatgjatë, të tyren apo të kombit.
Nëse “paaftësia dhe korrupsioni i kulluar” i Trumpit rezultojnë në katastrofë ekonomike ose natyrore, i vetmi avantazh që kanë kritikët e Trumpit, shkroi Skocpol, është se…
Trumpi tani i zotëron të gjitha; kjo është ana pozitive e gjithë kësaj. Le ta marrë ai gjithë fajin për rrëmujën që do të shpaloset, le të dalin në shesh përpjekjet e tij fëminore gjithnjë e më të dëshpëruara, qesharake dhe të dobëta për m’ia hedhë fajin dikujt tjetër. Dobësia është çelësi.
Ka një numër ekspertësh në studimin e demokracisë që argumentojnë se Trumpi ka arritur të shndërrojë Shtetet e Bashkuara në atë që ata e quajnë një shtet autoritar konkurrues.
Lucan Wayi, një studiues i politikës në Universitetin e Torontos, shkroi me email:
Kur Trumpi u zgjodh në vitin 2024, isha i bindur se Shtetet e Bashkuara do të bëheshin shtet autoritar konkurrues. Por nuk prisja që ky transicion të ndodhte kaq shpejt ose kaq lehtë, ose me këtë rezistencë kaq të vogël nga ata që kanë fuqinë për m’e luftu.
Forca e demokracisë amerikane është zbulu të jetë diçka e ngjashme me fuqinë e Magjistarit të Ozit: në dukje e plotfuqishme, por në fakt shumë më e dobët nga sa e imagjinonte pothuajse kushdo.
Në një ese të Times Opinionit të shkruar me Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatti, studiues të politikës në Harvard, Wayi pyet dhe përgjigjet në pyetjen “Si mund ta dallojmë nëse Amerika e ka kalu vijën e autoritarizmit? Ne propozojmë një metrikë të thjeshtë: koston e kundërshtimit të qeverisë.”
Kjo kosto mund të përfshijë këtë gamë:
Qytetarët dhe organizatat që bien ndesh me qeverinë bëhen shënjestra të një sërë masash ndëshkuese: Politikanët mund të hetohen dhe të ndiqen penalisht për akuza të pabaza ose të vogla, mediat mund të përballen me padi të kota për shpifje ose vendime rregullatore negative, bizneset mund të përballen me auditime tatimore ose t’u mohohen kontrata ose licenca kritike, universitetet dhe institucionet e tjera qytetare mund të humbasin fonde thelbësore ose statusin e përjashtimit nga taksat, dhe gazetarët, aktivistët dhe kritikët e tjerë mund të ngacmohen, kërcënohen ose sulmohen fizikisht nga përkrahësit e qeverisë.
Kur qytetarët duhet të mendohen dy herë para se të kritikojnë ose kundërshtojnë qeverinë, sepse mund të përballen me ndëshkim të besueshëm nga qeveria, ata nuk jetojnë më në një demokraci të plotë.
Sipas këtij standardi, Wayi, i cili është shtetas amerikan, shkroi:
Ne nuk jetojmë më në një demokraci liberale. Jetojmë në një regjim autoritar konkurrues. Po, ka zgjedhje dhe po, rendi kushtetues nuk është përmbysë në mënyrë të qartë. Megjithatë, kostot e kundërshtimit të qeverisë janë rritë.
Ziblatti, ishte më i hapur në një email:
Nuk ka dyshim se demokracia amerikane po përballet me provën e saj më të rëndë në jetën time. Shkalla, fushëveprimi dhe shpejtësia e sulmit brenda vitit të parë (të mandatit të dytë të Trumpit në detyrë) nuk ngjan me asgjë që kam parë midis rasteve të ngjashme të fundit të prapambetjes demokratike që kam hulumtu – Hungari, Turqi, Poloni apo Indi. Shkalla e paligjshmërisë së prishjes aktuale demokratike të Amerikës është veçanërisht e habitshme.
Megjithatë, Ziblatti argumentoi se nuk ka humbë gjithçka dhe se shoqëria civile amerikane
ka burimet qytetare për t’u përballë me këtë sfidë. Infrastruktura e gjerë qytetare e Amerikës përfshin sindikatat e punëtorëve, organizatat fetare, bizneset, universitetet, sektorin jofitimprurës, e mos me përmendë një parti opozitare që është më mirë e organizuar dhe më mirë e financuar sesa partitë opozitare në raste të tjera të shekullit të 21-të të prapavajtjes demokratike.
Megjithatë, jam i shqetësuar. Çështja a nuk është nëse ekzistojnë këto grupe, por nëse udhëheqësit e qyteteve do të kenë guximin për me punu duke bashkëpunuar dhe në mënyrë efektive të përmbysin kthesën autoritare të Amerikës.
Në një reflektim të pasigurisë që rrethon të ardhmen e demokracisë amerikane, Kim Lane Scheppelei, një sociologe në Princeton, shkroi: “Trumpi tashmë ka ecë shumë përpara drejt vendosjes së një autokracie në Amerikë, por kjo nuk do të thotë që demokracia ka humbë plotësisht.”
Scheppelei shprehu shqetësim të veçantë në lidhje me
militarizimin e kontrolleve të imigracionit, i cili përfshin gjithashtu militarizimin e përgjigjeve ndaj protestave dhe është një tjetër tregues shumë serioz i demokracisë në rrezik. I tillë është edhe regjimi universal i mbikëqyrjes që po rritet nga qasja e DOGE-së në të dhënat personale, e cila tashmë po bëhet gjithnjë e më e rrënjosur.
Scheppelei e përfundoi emailin e saj: “Po, ShBA-ja po shkojnë drejt autokracisë. Por demokracia nuk ka mbaruar ende.”
Në një ese në The New Republic me titull “ Po sikur lavjerrësi të mos kthehet mbrapsht? ”, Michael Brenes, një lektor i historisë në Yale, pohoi që zgjedhja e Trumpit vitin e kaluar dhe politikat agresive që ka miratu përgjatë detyrës së tij sinjalizojnë se “kemi një epokë e re e ideologjisë konservatore, dhe ajo nuk është vetëm joliberale dhe revanshiste, por edhe represive dhe armiqësore ndaj idesë së të drejtave natyrore të nxjerra nga Iluminizmi”.
Në të kaluarën, shkroi Brenesi, “shkurtimi i programeve federale në dobi të të pasurve” kishte “pasoja të tmerrshme politike”, shpesh duke rikthy liberalët në pushtet. Por, pyeti ai, “çfarë ndodh kur një numër i madh amerikanësh janë indiferentë ndaj asaj vuajtjeje? Apo kërkojnë ta përkeqësojnë atë?”
Në një email, Brenesi paralajmëroi se “Trump po fiton” duke përfitu
nga pazotësia e demokratëve për me vënë rregull në shtëpinë e tyre. Ata nuk kanë udhëheqës partie, koalicioni i tyre është i përçarë dhe nuk kanë strategji afatgjate. Edhe nëse demokratët fitojnë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2026, Trumpi nuk ka gjasa me e ndalë atë nga vazhdimi i politikave të tij.
Trumpi do të nxjerrë urdhra ekzekutivë, duke pretendu privilegje ekzekutive ose shqetësime për sigurinë kombëtare, veçanërisht për imigracionin. Donald Trumpi ka vërtetu se është i gatshëm të përdorë masa lufte për me justifiku pushtetin ekzekutiv në kohë paqeje. Duke iu referu Aktit të Kryengritjes, duke pretendu se ShBA-ja po pushtohet në kufirin jugor, interesi i tij për me pezullu habeas corpus-in janë vetëm disa shembuj.
Kurt Weylandi, një shkencëtar politik në Universitetin e Teksasit në Austin, u pajtu se “ka pasë një rënie të ndjeshme demokratike nën Trumpin”, por argumentoi se “Trumpi është ende larg vendosjes së një qeverisjeje autokratike dhe deklaratat e Levitsky & Co. se Shtetet e Bashkuara tashmë kanë rënë në autoritarizëm konkurrues janë të parakohshme, të ekzagjeruara dhe ndoshta kundërproduktive”.
Trump, Weylandi pretendon se
ka sjellë ulje të cilësisë së demokracisë amerikane. Por demokracia amerikane ka mbijetu, sipas mendimit tim; nuk është gati të zhytet në autoritarizëm, aspak. Ka pasë një korrozion në sundimin e ligjit, por thelbi i demokracisë – liria e veprimit politik, konkurrenca zgjedhore, zgjedhjet e lira dhe të ndershme – kanë vazhdu qartësisht.
Weylandi shprehu besimin e tij në Gjykatën e Lartë, e cila, sipas tij, “do të mbrojë sundimin e ligjit, Kushtetutën etj., kundër arbitraritetit të Trumpit”.
Të tjerë nuk pajtohen me besimin e Weylandit në gjykatën. Provat deri më tani sugjerojnë se gjykata është më shumë në anën e Trumpit sesa e rreshtuar me opozitën.
Në një postim në Substack më 10 korrik të titulluar “ Teza e Pajtimit ”, Stephen Vladecki, profesor i drejtësisë në Xhorxhtaun, përshkroi logjikën e rrezikshme që disa po përdorin për me i legjitimu vendimet e Gjykatës Supreme për me i dhënë administratës Trump 16 “ kërkesa të drejtpërdrejta për ndihmë emergjente ”.
Një grup studiuesish ligjorë, shkroi Vladecku, argumenton “se gjykata po e lë presidentin të fitojë këto beteja ‘të vogla’ me shpresën se ose do të eliminojë nevojën për beteja të mëdha në të ardhmen ose, të paktën, do ta pajisë gjykatën me një rezervuar më të madh vullneti të mirë dhe kapitali për me shpenzu kur të vijnë ato beteja të mëdha”.
Vladeck sheh tri probleme me këtë linjë arsyetimi:
E para, këto nuk janë mosmarrëveshje të njëhershme; janë një lumë rastesh. Në vend që ta linin presidentin ose Kongresin të shpëtonin pa u ndëshku me një manovër në një rast të vetëm, efekti neto i 16 ndërhyrjeve të gjykatës në favor të Trumpit deri më sot ka qenë që të japë dritë jeshile një sasi vërtet të paprecedentë paligjshmërie nga dega ekzekutive.
E dyta, dhe si rezultat, ndërhyrjet e gjykatës po shkaktojnë një sasi të madhe dëmi në botën reale – qoftë në lidhje me mbi një milion individë që humbasin statusin e tyre të mëparshëm të imigrantit, emigrantë të panumërt që deportohen në vende të treta, punonjës federalë që pushohen nga puna, grante që anulohen e të tjera.
E treta, dhe më e rëndësishmja, ndërsa qetësimi i gjykatës në episodet e mëparshme ndihmoi në zbutjen e krizave kushtetuese, sjellja në këtë rast vetëm sa mundëson vazhdimin e sjelljes së keqe nga dega ekzekutive – si në nivelin e politikave ashtu edhe në lidhje me sfidimin e vendimeve të pafavorshme të gjykatave të shkallës së parë.
Adam Bonica, një shkencëtar politik në Stanford, shkoi më tej se Vladecku, duke argumentu në “ Si të çmontoni një demokraci, ligjërisht ”, postuar më 9 korrik në Substack-un e tij, se Gjykata Supreme është bë një mundësues thelbësor i axhendës autokratike të Trumpit.
Sipas Bonicës, ekzistojnë dy elemente kryesore në fuqizimin e administratës Trump nga Gjykata e Lartë.
• Mbështetja e shumicës konservatore për teorinë ekzekutive unitare të pushtetit presidencial, e cila, shkroi Bonica, “pohon se Neni II i Kushtetutës i jep presidentit kontroll të plotë dhe të pakontestueshëm mbi të gjithë degën ekzekutive”.
• Dhe vendimi i vitit 2024 në çështjen Trump kundër Shteteve të Bashkuara që i jep presidentit “imunitet absolut nga ndjekja penale për veprimet brenda autoritetit të tij kushtetues përfundimtar dhe prekluziv. Dhe ai ka të drejtë për të paktën imunitet të supozuar nga ndjekja penale për të gjitha veprimet e tij zyrtare”.
Hapi më i rrezikshëm, shkroi Bonica,
është bashkimi i teorisë ekzekutive unitare (TEU) me imunitetin presidencial. Kjo krijon një spirë reagimi toksik dhe autokratik. TEU i jep presidentit shpatën: kontroll të plotë mbi Departamentin e Drejtësisë. Vendimi i Gjykatës së Lartë për imunitetin siguron mburojën: përcaktimin e çdo përdorimi të atij kontrolli – siç është urdhëresa e Departamentit të Drejtësisë për të ndjekë penalisht një rival ose për të hedhë poshtë një çështje kundër një aleati – si një “akt zyrtar” të mbrojtur nga ndjekja penale.
Ekziston një pasojë e qartë e mandatit të dytë të Trump në Shtëpinë e Bardhë, një pasojë që do të ketë pasoja të vërteta për miliona amerikanë: Ai do të lërë një trashëgimi rrënojash. Trumpi do të ketë demonstruar dobësitë e demokracisë amerikane kur ajo të përballet me një drejtor ekzekutiv malinj dhe amoral.
Pasardhësit e mundshëm republikanë — përfshi, ndër të tjerë, JD Vancei, Josh Hawleyi, Marco Rubio dhe Glenn Youngkini — kanë qenë mbështetës të Trumpit, duke mos tregu shenja mospajtimi apo kritike për qasjen e tij ndaj qeverisjes. Të gjithë, nëse jo me siguri të plotë, atëherë ka të ngjarë, të bëjnë fushatë me premtimin e vazhdimit të axhendës së Trumpit.
“Presidentët e talentuar dhe ambiciozë i kanë shtyrë kufijtë e zyrës, duke shtu kompetenca të reja që rrallë hiqej dorë nga pasardhësit e tyre”, shkroi Benjamin Ginsbergu, një studiues politik në Johns Hopkins, në “ Qeveria Presidenciale ”, e cila u botu në vitin 2016, përpara se Trumpi ta mundte Hillary Clintonin dhe të merrte detyrën. Ai shton se “sa herë që Kongresi nxjerr ligje, i jep presidentit fuqi për me bë diçka, duke kontribu kështu, megjithëse pa dashje, në shtyrjen përpara të autoritetit ekzekutiv”.
Nëse një demokrat fiton presidencën në vitin 2028, nuk ka asnjë garanci se ai ose ajo do ta braktisë plotësisht qasjen e Trumpit. Në rastin e autoritetit ekzekutiv, një precedent i thyer është e vështirë me u riparu. Për politikanët e të gjitha llojeve, pushteti kthehet në zakon dhe tërheqja nga të ushtruarit e tij ka me qenë shumë e fortë.
Rruga Press

