Trumpi e njxerr ShBA-në nga 66 entitete të OKB-së dhe organizata ndërkombëtare, duke e thelluar tërheqjen nga rendi botëror
Administrata Trump do të tërhiqet nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, përfshirë agjencinë e OKB-së për popullsinë dhe traktatin e OKB-së që përcakton bazën për negociatat ndërkombëtare për klimën, ndërsa ShBA-ja vazhdon të tërhiqet nga bashkëpunimi global.
Presidenti Donald Trump të mërkurën nënshkroi një urdhër ekzekutiv me të cilin pezullohet mbështetja e ShBA-së për 66 organizata, agjenci dhe komisione, pasi ai kishte udhëzuar administratën e tij që të rishikojë pjesëmarrjen dhe financimin e të gjitha organizatave ndërkombëtare, përfshirë ato të lidhura me Kombet e Bashkuara. Kështu ka deklaruar një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar një vendim presidencial që ende nuk ishte shpallur publikisht.
Shumica e objektivave janë agjenci, komisione dhe panele këshillimore të lidhura me OKB-në, të cilat fokusohen në klimë, punë dhe çështje të tjera që administrata Trump i ka kategorizuar si pjesë e iniciativave për diversitet dhe atyre që i quan “woke”.
“Administrata Trump i ka gjetur këto institucione si të tepërta në fushëveprimin e tyre, të keqmenaxhuara, të panevojshme, shpenzuese pa nevojë, të drejtuara dobët, të kapura nga interesa aktorësh që avancojnë agjenda të tyre në kundërshtim me tonat, ose si kërcënim për sovranitetin, liritë dhe mirëqenien e përgjithshme të kombit tonë,” thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.
Administrata më herët kishte pezulluar mbështetjen për agjenci si Organizata Botërore e Shëndetësisë, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë e njohur si UNRWA, Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së dhe agjencia kulturore e OKB-së, UNESCO, ndërsa ka adoptuar një qasje më selektive (“a la carte”) në pagesën e kontributeve ndaj OKB-së, duke zgjedhur se cilat operacione dhe agjenci përputhen me agjendën e Trump dhe cilat nuk i shërbejnë më interesave të ShBA-së.
Kjo ka shënuar një ndryshim të madh nga mënyra se si administratat e mëparshme — si republikane ashtu edhe demokrate — janë marrë me OKB-në, dhe ka detyruar organizatën botërore, e cila tashmë po kalon një proces të vetërishikimit të brendshëm, të reagojë me një seri shkurtime stafesh dhe programesh./trtalbanian
Rruga Press

