“Tribunali Ujgur” thotë se Kina kreu gjenocid në Ksinjiang
Një panel i pavarur, jozyrtar në Londër, që heton shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut në rajonin veriperëndimor Ksinjiang të Kinës, ka arritur në përfundimin se qeveria kineze kreu “gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe tortura”, ndaj ujgurëve, kazakëve dhe anëtareve të grupeve të tjera etnike indigjene të këtij rajoni të banuar kryesisht nga myslimanë.
“Tribunali Ujgur”, i përbërë nga avokatë, akademikë dhe biznesmenë britanikë, nuk ka asnjë mbështetje nga qeveria, por organizatorët shpresojnë se procesi i nxjerrjes publike të provave të abuzimit në Ksinjiang do të detyrojë veprime ndërkombëtare kundër politikave të Pekinit.
Kina ka qenë cak i kritikave ndërkombëtare dhe është goditur me sanksione për arrestimin e më shumë se një milion ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane për atë që njihet si riedukim politik në Ksinjiang.
Kina këmbëngul se kampe të tilla janë “qendra arsimore profesionale” që synojnë të ndihmojnë njerëzit të shmangin terrorizmin.
Në një raport 63 faqesh të publikuar më 9 dhjetor, paneli tha se nuk kishte prova për vrasje masive, por grupi tha se ishte “i kënaqur përtej dyshimit të arsyeshëm që Republika Popullore e Kinës, me vendosjen e masave për të parandaluar lindjet synonte të shkatërronte një pjesë të konsiderueshme të ujgurëve në Ksinjiang dhe duke vepruar kështu, kreu gjenocid”.
Masa të tjera për të reduktuar popullsinë e këtij komuniteti përfshinë sterilizimin e detyruar dhe abortin, tha grupi i pavarur, duke shtuar se: “Popullsia e ujgurëve në brezat e ardhshëm do të jetë më e vogël se sa do të kishte qenë pa këto politika. Kjo do të rezultojë në një shkatërrim të pjesshëm të ujgurëve.”
Më herët, administrata amerikane ka deklaruar se abuzimet e Kinës në Ksinjiang ishin gjenocid.
Sipas Departamentit të Shtetit, abuzimi përfshin burgosjen, torturën dhe sterilizimin e detyruar.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me një ligj të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA për të ndaluar importet nga Ksinjiang për shkak të shqetësimeve të punës së detyruar, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha më 9 dhjetor se “e ashtuquajtura punë e detyruar dhe gjenocidi në Ksinjiang janë thashetheme krejtësisht të mbrapshta. “
“Tribunali Ujgur” po ashtu tha se Kina “ka ndërtuar një rrjet shumë të gjerë institucionesh paraburgimi, se ka burgosur qindra mijëra e ndoshta një milion e më shumë ujgurë pa shkak thelbësor dhe pa ndonjë proces ligjor të njohur ose legjitim”.
Shumë prej të arrestuarve janë “torturuar pa asnjë arsye” dhe si gratë ashtu edhe burrat e mbajtur në kampe janë “përdhunuar dhe nënshtruar dhunës seksuale ekstreme”.
Presidenti Xi Jinping dhe zyrtarë të tjerë të lartë “mbajnë përgjegjësinë kryesore për aktet që kanë ndodhur në Ksinjiang”, thuhet në raportit.
“Tribunali Ujgur” u krijua me kërkesë të Kongresit Botëror Ujgur, grupi më i madh që përfaqëson ujgurët që janë lagur nga Kina.
Gjykata dha opinionin e saj pasi shqyrtoi provat nga dhjetëra dëshmitarë, ekspertë, dokumente të qeverisë kineze të zbuluara dhe mijëra faqe prova dokumentare nga studiues të pavarur dhe organizata të të drejtave të njeriut për më shumë se një vit.
Raporti vjen pasi një numër në rritje vendesh i janë bashkuar Shteteve të Bashkuara në shpalljen e bojkotit diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, që do të mbahen në shkurt 2022./rel/
RrugaPress