Opinion/Aktualitet

Triarkia plus dhe Federata Shqiptare

Historia i ofron Shqipërisë dhe shqiptarëve rolin që i ka ofruar Polonisë në rrafshin e strategjisë në Lindje, ia rezervon Shqipërisë dhe Kosovës për Europën Juglindore.

Nga Sadri Ramabaja

Europa po detyrohet ndërkohë të bëhet gati ta mbrojë Ukrainën qoftë edhe pa Amerikën. Ajo është e bindur se vetëm kështu e bën më të mirën të mundshme në këto qaste historike.
Nëse këtë nuk arrijnë dot ta bëjnë të gjithë tok, si BE e si Europë, atëherë atë do ta bëjë një alencë shtetesh të gatshëm për ta ndaluar marshutën e Putinit.
Kjo lagje e shteteve europiane e kanë kuptuar qartë se duhet mbrojtur Ukraina, qoftë edhe pa Amerikën e Donald Trump-it.

Triarkia Europiane
Në vitin 1841 filozofi hebraiko-gjerman Moses Hess kishte publikuar librin “Triarkia Europiane”. Teza bazë e Hess-it kishte të bënte me atë se fati i Europës është përcaktuar nga tri shtete: Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania.
Moses Hess, në teorinë e tij të triarkisë, i përqendronte analizat e tij mbi tre fuqitë kryesore evropiane të shekullit XIX: Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën. Ai argumentonte se këto tri fuqi përfaqësonin tre aspekte të ndryshme të zhvillimit politik dhe shoqëror:

  1. Francëa si simbol i revolucionit dhe barazisë sociale.
  2. Gjermania si përfaqësuese të filozofisë dhe zhvillimit intelektual.
  3. Britania e Madhe si simbol i kapitalizmit dhe industrializimit.

Triarkinë Plus
Teorisë së triarkisë ndërkohë, me theks gjatë rrjedhës së lufëts në Ukrainë, i është bashkangjitur Polonia, duke krijuar kështu një katërkëndësh më të qëndrueshëm për rrethanat e reja gjeopolitike.
Lufta në Ukrainë e ka shpërfaqur rolin e Polonisë në një konteksti modern, duke kontribuar krejt natyrshëm në formësimin e tezës mbi Triarkinë Plus.

Polonia për shumëçka mund të cilësohet si një përfaqësuese tipike e nacionalizmit dhe vetëvendosjes po aq sa edhe si qendër e sigurisë dhe balancës gjeopolitike në Evropën Qendrore, duke qenë njëkohësisht edhe si një ndërmjetëse mes Lindjes dhe Perëndimit.
Pra, një Triarki Plus do të mund të funksionote në këtë mënyrë:
• Britania e Madhe – përfaqësuese e traditës anglosaksone dhe kapitalizmit të tregut të lirë.
• Franca – si lider i integrimit evropian dhe frymës republikane.
• Gjermania – si lokomotivë ekonomike dhe model i stabilitetit social-demokrat.
• Polonia – si qendra e një Evrope të re, e cila po përcakton vetë rolin e saj strategjik në Lindje.

Strategjia që na mungon
Rolin e Polonisë në rrafshin e strategjisë në Lindje, Shqipëria dhe Kosova do të mund ta kishin në Europn Juglindore.
Në këtë terren të zhvillimeve gjeopolitike, rishikimi i strategjisë nacionale që garanton pozicion të favorshëm për Kombin si tërësi, është krucial.
Shih për këtë, brenda këtij viti, do të duhej të ndërmirreshin tri veprime konkrete:

  1. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Sigurisë mes Shqipërisë dhe Kosovës;
  2. Hartimi dhe aprovimi i Strategjisë Kombëtare;
  3. Organizimi i referendumit në të dy republikat tona me pyetjen bosht: A jeni për bashkim në trajtën e një Federate Shqiptare.

Nënshkrimi i marrëveshjes në fushën e sigurisë është urgjencë, respektivisht kusht i domosdoshëm – sine qua non.
Një marrëveshje e sigurisë mes Shqipërisë dhe Kosovës, e modeluar psh. sipas asaj mes Francës dhe Greqisë, do të përfshinte një angazhim të ndërsjellë për mbrojtje dhe bashkëpunim strategjik. Marrëveshja mes Francës dhe Greqisë është një traktat mbrojtjeje reciproke, ku të dy vendet zotohen të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast të një agresioni të jashtëm. Në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës, një marrëveshje e ngjashme mund të përfshinte elementet e mëposhtme:

1. Klauzola e Mbrojtjes së Ndërsjelltë

• Një angazhim i qartë nëse njëra palë përballet me kërcënime apo agresion nga një palë e tretë, pala tjetër do të ofrojë mbështetje ushtarake dhe politike.
• Kjo mund të përfshijë ndihmë me trupa, pajisje ushtarake ose mbështetje logjistike.
2. Bashkëpunim në Industrinë e Mbrojtjes
• Marrëveshje për bashkëprodhimin e pajisjeve ushtarake dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në të dy republikat.
• Shkëmbime teknologjike dhe trajnime për modernizimin e forcave të armatosura të Kosovës dhe Shqipërisë.

3. Manovra dhe Stërvitje të Përbashkëta
• Organizimi i stërvitjeve të përbashkëta të rregullta midis ushtrisë shqiptare dhe asaj të Kosovës.
• Harmonizimi i doktrinave ushtarake për rritjen e ndërveprimit operacional.
4. Bashkëpunim në Inteligjencë dhe Siguri Kibernetike
• Krijimi i një qendre të përbashkët për shkëmbimin e informacionit mbi kërcënimet e sigurisë kombëtare.
• Bashkëpunim në mbrojtjen kibernetike dhe luftën kundër dezinformimit.
5. Ankorim në Struktura Ndërkombëtare
• Përfshirja e Kosovës në programet e sigurisë të NATO-s përmes Shqipërisë.
• Koordinim në politikën e jashtme për të forcuar pozicionin strategjik të dy shteteve në rajon.

Një marrëveshje e tillë do të forconte sigurinë kombëtare dhe stabilitetin rajonal, duke e bërë më të vështirë për aktorët e jashtëm të kërcënonin sovranitetin dhe sigurinë e Shqipërisë dhe Kosovës.

Rruga Press

YouTube player