TRI kërkesat e kohës për një qeveri të mirë
Shkruan: Shqiptar Oseku
Zgjedhjet dolën ashtu si pritej; së paku unë personalisht nuk ndihem i befasuar. Vetëvendosje pati një rënie të votave por ngel më e madhja në vend. Ky quhet rezultat solid. Ndoshta Vetëvendosja bëri gabim taktik, pse s’i tha lopatës lopatë që nga dita e parë. Mund të ish thënë hapur, se rezultati i shkuar ka qenë votë ndëshkuese për konkurrentët. Se partitë qeveritare pësojnë shpesh rënie. E se VV duhet të impenjohet për të ngelur krahu më i madh. Ndoshta një realizëm i ftohtë do të kish prurë më shumë votues.
Sifoqoftë, KM Kurti është shprehur se ai do të jetë mandatar i qeverisë Kurti 3, që në shqip i bie një nga dy opsione. Ose qeveri të minorancës. Ose koalicion. Të dy opionet janë bukur instabile, aq më fort në kulturën tonë sedërtare. Plus që KM Kurti ka përballë krerë të opozitës të cilët janë përafruar në katër vite krajatash të përbashkëta. Një ndërrim qeverish nuk është i paimagjinueshëm.
Personlisht një qeveri Kurti 3 do ta preferoja çdo ditë të javës, e dyfish në vikende. Por për Kosovën do të ishte e tolerueshme çdo qeveri, pra edhe një qeveri LDK-PDK-AAK, nëse i plotëson tri kërkesa të kohës:
E para, të vazhdojë t’i bishtërojë shoqatës së bashkive serbe në Kosovë. Kurti ka luajtur cic-mic me serbët dhe perëndimorët në mënyrë gjeniale, pa thënë kurrë jo, por pa hedhur kurrë asnjë hap konkret. Plani është që të luajmë për kohë, gjer ditën kur të demokratizohet Serbia, ose kur të ndryshojnë balanset e brendshme demografike aq, sa kjo shoqatë të ngelë ujk pa dhëmbë. Ndryshe pasojat për Kosovën, por edhe për Serbinë e për Ballkanin, do të jenë të llahtarshme.
E dyta, të mirëmbajë ndërmarrjet publike. Qeveria Kurti ka dëshmuar se këto ndërmarrje, nëse aty ndalet korrupsioni, janë efikase në treg të lirë. Kosova nuk ka ekonomi aq të zhvilluar sa të zëvendësojë ndërmarrjet publike, as si punëdhënës, e as si asete buxhetore. Një qeveri që i privatizon dhe i shet këto ndërmarrje do të bënte krim ekonomik. Ajo do t’i shiste jo vetëm vezët e arta të Kosovës, por edhe patat që ia kanë bërë vezët e arta.
E treta, ta bëjë atë që s’e bënë dot qeveritë Kurti 1 e 2, të hapë një bursë tregtimi për aksione (hise) të ndërmarrjeve vendore. Kosovës i mungojnë si kuadri ligjor, ashtu edhe funksionet bazë të bursës. Ne jetojmë ende në kapitalizëm shpellash, ndërsa pak kilometra më tutje, në shek XXI, njerëz familjarë bëjnë shitblerje aksionesh në celular. Një bursë e tregtimit të aksioneve, mundësisht e përbashkët me Shqipërinë. E kapitali vendor dhe ai i mërgatës s’do të investohen më në patundshmëri joproduktive, po në start-ups dhe në ndërmarrje të suksesshme.
Këto pra janë tri kërkesat e kohës për një qeveri të mirë anno 2025. E di, e di: ku janë arsimi, shëndetësia, ushtria, ngrohja globale… Ncuk, trinia e shenjtë sot janë këto që të përmenda. Se bëjnë fjalë për thelb të shtetit, për integritet territorial, e forcim ekonomik. Të gjitha të tjerat janë bonus. I vdekuri nuk ha gështenja.
Çdo mandatar që plotëson këto tri kërkesa të kohës, e quaj të tolerueshëm. Ai (ose ajo) ec me Zeitgeist. Çdo mandatar që devijon nga ato, them se duhet të kundërveprohet me çdo mjet politik; uroj që të mos vijë puna gjer aty. Se zgjedhjet e shkurtit vërtet nuk sollën risi të mëdha, por kanë sjellur prapë sfidat e vjetra. Vendi kanoset sërish nga koalicione jostabile, ndërsa i duhet stabilitet politik.
Si thashë më lart, unë do ta preferoja një qeveri Kurti 3 në çdo mot, qoftë nën diell, qoftë nën ombrellë. Mirëpo, raporti i ri i forcave ndoshta sjell edhe mundësi të reja. Partitë – edhe Vetëvendosja – tashti kanë më shumë motiv për kompromise. Ajo shenja kineze për fjalën “krizë”, që kombinon dy fjalë, rrezik e mundësi. Ajo sikur është krijuar për këtë ditë.
Rruga Press