Trajneri i Lokomotivës së Moskës largohet nga klubi në shenjë proteste për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës
Trajneri i Lokomotivës së Moskës, Markus Gisdol, ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Gjermani 52-vjeçar, i cili mori drejtimin e ekipit në tetorin e kaluar, tha se është “absolutisht i bindur” se vendimi i tij është i duhuri. Gisdol, i cili më parë e kishte kaluar të gjithë karrierën e tij si lojtar dhe trajner në Gjermani, ka qenë në krye të Lokomotivës për 12 ndeshje.
“Të jesh trajner futbolli është puna më e mirë në botë. Por unë nuk mund ta bëj këtë punë në një vend, lideri i të cilit ka pushtuar një vend tjetër në mes të Evropës. Kjo nuk shkon me vlerat e mia dhe për këtë arsye kam dhënë dorëheqjen si trajneri i Lokomotivës së Moskës me efekt të menjëhershëm”, ka thënë Gisdol.
“Unë nuk mund të qëndroj në fushën stërvitore në Moskë dhe të stërviti lojtarët, t’u kërkoj atyre të jenë profesionistë kur disa kilometra larg jepen urdhra që sjellin vuajtje për njerëzit e një vendi të tërë. Ky është vendimi im personal dhe jam absolutisht i bindur se është i duhuri”.
Largimi i trajnerit Gisdol te Lokomotiva erdhi një ditë pasi FIFA dhe UEFA pezulluan ekipet dhe përfaqësuese të Rusisë nga garat ndërkombëtare të futbollit. Kjo do të thotë se Spartak Moska, një nga klubet ruse të mbetura në garat evropiane, nuk do të luajë në Ligën e Evropës.
Rruga Press